
Ambasadori i Delegacionit të BE, Silvio Gonzato, i dorëzoi sot në Tiranë kryeministrit Edi Rama Raportin e Progresit 2024 për Shqipërinë. Gjatë fjalës së mbajtur Gonzato theksoi nevojën urgjente për dialog mes palëve për realizimin e reformave. Ai shprehu shqetësim për ato që i konsideroi si orvatje për të ndikuar në fushën e drejtësisë.
“Mesazhi kryesor është nevojë urgjente për të rindërtuar një dialog konstruktiv dhe gjithëpërfshirës politik dhe kjo është thelbësore për sistemin demokratik dhe mundësinë për të realizuar reformat për integrimin në BE. Funksioni i gjyqësorit vazhdon të zërë një hapësirë të madhe të raportit vjetor. Komisioni vëren disi progres, sidomos me arrimin drejt fundit të Vetingut në shkallën e parë. Shqetësimet mbeten sa i përket orvatjeve për ndërhyrje dhe trysni politike në sistemin gjyqësor dhe mangësi sa i përket emërimeve në bazuar në meritë të anëtarëve jo magjistratë në KLGJ dhe KLP”.
Ai vuri në dukje se institucionet duhet të denoncojnë në SPAK rastet e korrupsionit.
“Ka mënyra të tjera për t’u angazhuar në një dialog politik. Shpresoj se do të gjendet një rrugë për të riangazhuar opozitën”, tha ambasadori i BE.



