Partia Demokratike ka nisur procesin e seleksionimit të kandidatëve që do ta përfaqësojnë atë në Parlamentin e ardhshëm. Në studion e emisionit “Stay Tunned”, Arben Kashahu, sekretar për marrëdhëniet me jashtë në PD, tha se procesi i ri i përzgjedhjes përfshin të gjitha strukturat e partisë, duke rritur në këtë mënyrë demokracinë e brendshme.
“PD është parti që po ekzekuton një proces të rëndësishëm të seleksionimit të kandidaturave. Është proces i rëndësishëm. Është publikuar një udhëzim që udhëheq këtë proces. Ne jemi krenarë sepse ky proces i jep peshë anëtarësisë dhe kontribuon në demokratizimin e brendshëm të partisë. Përfshin të gjitha strukturat. Në mënyrë të veçantë Kryesinë dhe Këshillin Kombëtar. Janë të gjithë të përfshirë në ofertën elektorale dhe besoj se kjo do të prodhojë një ofertë që shkëlqen. Ka ecur shumë mirë, është një proces dinamik. PD mbetet një parti me vlera, të cilat do t’i transferojë në qeverisjen e vendit”, tha ai.
Kashahu theksoi rëndësinë që ka për demokratët mbështetja e PPE, pjesë e të cilave ajo është prej vitesh.
“PD ka marrëdhënie të shkëlqyer me PPE. Kjo e fundit ka qenë mjaft aktive dhe ka komentuar në cdo moment situatën politike në Shqipëri. Janë parti që zërin në BE e kanë të fortë, vendimmarrës. PPE i kanë qëndruar pranë PD-së dhe Shqipërisë”, tha ai.



