
Policia dhe prokuroria e Tiranës janë duke kryer hetime intensive për zbardhjen e ngjarjes së rëndë të ndodhur një natë më parë, atë te sulmit me armë ndaj banesëa së prinderve te gazetares Klodiana Lala.
Policia thotë se persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë në drejtim te banesëa private rreth orës 3 të mëngjesit të 30 gushtit, por për efekt të zhurmave nga një dasëm aty pranë, familjarët kane kuptuar atë se çfarë kishte ndodhur rreth orës 6.40 të mengjesit kur kanë njoftuar edhe policinë.
Edhe pse në banesë ndodheshin prindërit e gazetares Lala, dy fëmijët e saj, vëllai dhe dy miq të familjes, fatmirësisht nuk pati persona të lënduar edhe pse plumbat depërtuan brenda banesës. Policia informon se hetimet po kryhen me metoda speciale.
"Në lidhje me këtë ngjarje, menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor me ekspertë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Nga ana e grupit hetimor janë kryer veprimet procedurale në vendin e ngjarjes si dhe janë kryer një sërë veprimesh me metoda speciale të hetimit për të bërë të mundur zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Grupi hetimor po vijon me intensitet maksimal veprimet hetimore dhe procedural, por për arsye hetimi nuk mund të bëjmë me dije të dhëna të tjera", vijon më tej policia.



