
Drejtori i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku dha detaje nga operacioni i zhvilluar dje dhe sot, ku në total janë arrestuar 233 persona në mbarë vendin.
Rrumbullaku bën me dije se janë miratuar 296 masa sigurie arrest me burg, dhe janë në kërkim 82 persona.
Që në krye të fjalës së tij drejtori i Policisë së Shtetit theksoi se ky operacion “lidhet direkt me të ardhmen e fëmijëve tanë”, pasi ka goditur tregtimin e lëndëve narkotike pranë ambienteve në shkolla.
Ai theksoi se në gjithë vendin janë shkatërruar 23 grupe kriminale, që shpërndanin drogë pranë ambienteve të shkollave në qytetet Tiranë, Durrës, Korçë, Elbasan e Vlorë.
Në përfundim të megaoperacionit “Tempulli” janë sekuestruar mbi 800 kg kanabis, mbi 60 kg kokainë, mbi 15 kg heroinë dhe ekstazi.
Ndërkaq, ministri i Brendshëm Taulant Balla bëri me dije se është shtuar përdorimi edhe i rrogave sintetike, që paraqet rrezikshmëri të lartë për përdoruesit.
"Këto të dhëna janë një këmbanë alarmi, por institucionet, shkolla dhe shoqëria duhet të luftojnë të gjithë së bashku”, theksoi më tej Balla.
Ndër të tjera ai tha se do të propozojë dyfishim për dënimin e krimeve që ndodhin brenda perimetrit të sigurisë së shkollave.



