Ragmi Mustafa, kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare në Luginën e Preshevës, në një lidhje ‘skype për TvT’ foli për disa çështje, ku fillimisht u ndal në zgjedhjet e 21 qershorit në Serbi. Partia e tij nuk mori pjesë dhe i pyetur përse Ragmi Mustafa u shpreh:
“Unë kujtoj për opinion e gjerë këtu në Luginën e Preshevës, madje dhe në Kosovë, por tani edhe në Shqipëri, ështe e ditur se Partia Demokratike Shqiptare tradicionalisht nuk merr pjesë në zgjedhje parlamentare serbe, sepse është subjekt politik i parë i formuar në sistemin plural shumë partiak në vitin 1990. Në 30 vjet vetëm një herë kemi marrë pjesë me një deputet në vitet 90. Deputeti i Partisë Demoktratike Shqiptare ka qenë i përbuzur, i shantazhuar, i fyer gjatë gjithë kohës në sallën e parlamentit serb. Megjithëse kjo nuk është arsye e vetme sepse në vitin 1992 zhvilluam një referendum për bashkimin me Kosovën, në kohën e Milloshevicit. Votuam pro.”
Më herët Mustafa shprehet se në parlamentin serb kurrë nuk është dëgjuar zëri i shqiptarëve dhe këtë qëndrim vijon ta mbajë edhe kur pyetet nëse do të jetë ndryshe tashmë më deputet e zgjedhur nga Lista Shqiptare.
"Ky diskutim është që nga viti 2007. Nga ky vit është trumbetuar se do na dëgjojë Serbia, e njëjta po thuhet edhe sot, por dje, menjëherë pas zgjedhjeve, zoti Kamberi, që ishte deputeti 1 në listë kërkoi me ngul që Shqipëria dhe Kosova ta ndihmojnë në zgjidhjen e probleme shqiptare në Luginën e Preshevës.”
Mustafa duket i pashpresë edhe pas zgjedhjeve të 21 qershorit pasi thotë me Vuçiç do të vazhdojë diskriminimi i shqiptarëve.
“Vazhdimësia e diskriminimit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Mos harroni se edhe në këto ditë para zgjedhjeve dhe para fushatës zgjedhore Serbia vazhdonte me nxjerrjen e shqiptarëve nga regjistri civil në Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë. Këtë nuk e bënte me malazezët, me kroatët, me rumun dhe të tjerë.”
Ndërkohë për lajmin se do të përdorem tekste shqipe edhe për shqiptarët që jetojnë në Serbi Mustafa u shpreh: “Unë kujtoj se tanimë pas disa dekadave përpjekje ky është një hap shumë i madh. Ka akoma më shumë të bëhet. Po në inat të Republikës së Kosovës Serbia e lejoi këtë të teksteve të Shqipërisë.”



