Një person në Tiranë i cili po transportonte granata luftarake, kapsolla detonatore dhe tritol, me qëllim shitjen e tyre, është vënë në prangat e policisë Tiranë.
Si rezultat i informacioneve të siguruara në rrugë operative, u finalizua operacioni policor i koduar “Porosia”.
Gjatë operacionit, në rrugën “Kastriotët”, u kap dhe u vu në pranga shtetasi P. Ç., 52 vjeç, banues në Fushë-Krujë, me precedent të mëparshëm penal në fushën e narkotikëve.
Gjatë kontrollit të qeses që mbante me vete, efektivët e policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, dy granata dore luftarake, dy ndezës unifikues, 600 gramë lëndë plasëse (tritol), një pjesë e së cilës ishte e pajisur me dy fitila dhe dy kapsolla detonatore gati për shpërthim, si dhe 6 kapsolla detonatore.



