
Themeluesi i WikLeaks, Julian Assange, është dënuar me 50 javë burg për shkeljen e kushteve të lirimit në vitin 2012.
47-vjeçari u arrestua në Londër në vitin 2012 dhe falë një marrëveshjeje, arriti të përfitonte lirim me kusht, por e shkeli këtë marrëveshje nga frika se do të ekstradohej drejt Suedisë, ku akuzohej për përdhunim dhe sulm seksual.
Në mënyrë që t’i shmangej ekstradimit, ai kërkoi azil në ambasadën e Ekuadorit në Londër, kërkesë që u pranua nga presidenti i atëhershëm, Rafael Correa.
Por pas ardhjes në pushtet të presidentit të ri ekuadorian, Lenin Moreno, Assange-it iu hoq e drejta e azilit dhe kjo i dha mundësinë policisë britanike ta arrestojë.
Ndërkohë që akuzat për përdhunim që u ngritën ndaj tij në Suedi kanë rënë, Assange përballet me akuza të reja që janë ngritur gjatë azilit të tij 7-vjeçar në ambasadën ekuadoriane. Autoritetet amerikane kanë kërkuar ekstradimin e Assange-it në kuadër të një hetimi mbi publikimin e dokumenteve të klasifikuara që kanë të bëjnë me luftërat në Afganistan e Irak.
Kërkesa e SHBA-ve për ekstradimin e tij do të shyrtohet në një seancë që është parashikuar të mbahet të enjten.
Ndërkohë, seanca gjatë së cilës ai u dënua për shkeljen e lirimit me kusht u shoqërua me një protest jashtë mjediseve të gjykatës së Southwark-ut në Londër. Protestuesit kundërshtuan si dënimin e sotëm, edhe ekstradimin e pritshëm drejt SHBA-ve.



