Gert Oskam, 40-vjeç, është ngritur më këmbë këtë javë pas një paralize 12 vjeçare për shkak të një aksidenti rrugor me motor. Pas vitesh të tëra në një karrocë me rrota, sot, fal një shpikjeje të re që u implantua në trurin dhe palcën e tij kurrizore, ai mund të ecë sërish.
Oskam u shfaq përpara mediave duke qëndruar në këmbë, ndërsa hidhte me vështirësi disa hapa dhe ngjiste disa shkallë të vogla. Ai mban një çantë shpine ku ndodhet një kompjuter i vogël që lidh impulset e trurit me pjesët e tjera të trupit dhe mundëson lëvizjen e tij.
“Dëshira ime më e zjarrtë ishte të ecja përsëri. Besoja çdo ditë se do ja dilja. Tani, pas kësaj ndërhyrjeje, mund të ec rreth 200 metër në ditë dhe qëndroj në këmbë, pa mbështetje, për të paktën dy minuta. Javën e kaluar, për shembull, ishte diçka në shtëpi që duhej lyer dhe s’kishte kush më ndihmonte. Vura çantën në shpinë, u ngrita më këmbë, dhe pak nga pak e bëra vetë këtë punë.”, thotë Oskam.
Shkencëtarët zviceranë që mundësuan këtë operacion tejet delikat janë shumë entuziastë. Ata njoftuan se janë duke punuar që të ndërtojnë një pajisje të re edhe për ata persona që kanë probleme me krahët dhe pjesë të tjera të trupit.



