
Agjencia Shtetërore Meteorologjike japoneze njoftoi se vendi po përballet prej një jave me një valë të nxehti të paprecedentë, duke i marrë jetën të paktën 65 persona brenda pak ditësh.
Një zëdhënës i agjencisë meterologjike paralajmëroi se "nivele të pashembullta nxehtësie" kishte përfshirë disa vende.
Më shumë se 22 mijë njerëz janë dërguar në spital si pasojë e problemeve me zemrën, shkaktuar nga vapa, pjesa më e madhe e të cilëve në moshë të thyer.
Të hënën, qyteti i Kumagaya raportoi se temperaturat arritën në 41.1C, më e larta ndonjëherë e regjistruar në Japoni.
Në Tokio temperaturat arritën mbi 40 ° C dhe kjo ishte hera e parë që kryeqyteti i vendit kap këtë pikë të nxehti.
Meteorologët njoftuan se situata nuk pritet të ndryshojë edhe përgjatë javëve të para të gushtit.
“Po përballemi me nivele të paprecedenta vape në disa zona të Japonisë”, deklaroi zëdhënësi i Shërbimit Meteorologjik, Motoaki Takekawa, duke shtuar se këto temperatura të larta ishin një rrezik potencial për jetën e njerëzve.
Autoritetet kanë nisur një fushate mediatike për të këshilluar njerëzit që të konsumojnë sa më shumë ujë, të përdorin ajrin e kondicionuar, dhe të shmangin daljet në çdo orë të ditës.
Vala e të nxehtit erdhi pas shiut që shkaktoi përmbytje të mëdha dhe rrëshqitje të tokës në perëndim të Japonisë.



