
Një dasmë me 150 të ftuar në hotelin prestigjoz “Adlon” në Berlin, pranë Portës së Brandenburgut.
Kështu do të festojnë sonte martesën e pestë ish-kancelari gjerman, Gerhard Schroeder, dhe gruaja e tij koreano-jugore, Soyeon Kim.
Ndër të ftuarit janë Presidenti i Republikës Federale dhe kolegu i partisë, Frank-Walter Steinmeier, ish-ministri i jashtëm, Sigmar Gabriel dhe këngëtari i grupit “Scorpions”, Klaus Meine.
Në listën e dasmorëve është edhe ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, dhe presidenti rus, Vladimir Putin, mik i vjetër, i cili megjithatë nuk do të marrë pjesë në ceremoni, sipas burimeve të afërta me Schroeder, të cituara nga agjencia Dpa.
Schroeder dhe partnerja i tij e kanë bërë celebrimin 4 muaj më parë në Korenë e Jugut.
Nusja e pestë e ish-kancelarit gjerman është 43 vjeçe. Ajo punon si përfaqësuese e Agjencisë së Zhvillimit Ekonomik në shtetin gjerman të Rhine Westphalia-s. Më parë, Kim ka punuar si përkthyese e gjuhës koreane për Schroeder.
Marrëdhënia e tyre doli në dritë, kur Doris Schroeder Kopf, gruaja e katërt e Schroeder-it tha gjatë procesit të divorcit se Kim kishte pasur rolin e saj në këtë ndarje.
Por vetë Schroeder e ka mohuar gjithmonë që Kim të ketë qenë shkaku i divorcit të katërt.
Ish-lideri 73-vjeçar i Gjermanisë njihet për jetën e larmishme sentimentale. Falë katër martesave të dështuara, atij i është vënë nofka “Njeriu Audi”, një referencë ndaj simbolit me 4 unaza të makinës gjermane.



