
Për të fuqizuar arsimin profesional në Shqipëri, fillimisht duhet thyer mentaliteti e trashëguar nga sistemi i kaluar lidhur me përkufizimin për një arsim profesional.
Ky është perceptimi i ekspertes së arsimit, Irsa Ruçi, e cila në studion e “MCN economy”, tha se janë vet sot prindërit që nuk duan që fëmijët e tyre të ndjek arsimin profesional por preferojnë arsimin e lartë universitar.
Duke u nisur nga kjo, ekspertja sugjeron që arsimi profesional sot duhet të kthehet në një alternativë parësore, një mundësi zgjedhjeje.
Ajo që çalon më së shumti sot në arsimin profesional është mentaliteti qe duhet thyer. Ne kemi trashëguar një mentalitet ku ekzistonin klasa e punëtorëve dhe klasa e intelektualëve dhe asnjëra prej prindërve që e kane provuar në kurriz të tyre , nuk duan sot që fëmija i tyre të ndjek arsimin profesional dhe i mëshojnë shumë faktit që fëmijët të drejtohen drejt arsimit të lartë universitar. Ndërkohë që kushtet, tregu ka ndryshuar jashtëzakonisht këtu, sistemi ekonomik, social, politik ka ndryshuar shumë dhe nuk është më ai sistem. Së pari duhet thyer ai mentaliteti dhe duhet kuptuar se arsimi profesional nuk është më një gjendje, nevojë për një familje dhe një alternativë e dyte, duhet kthyer në një alternativë parësore, pra duhet të jetë një mundësi zgjedhjeje për një të ri, edhe nëse i ka mundësitë për të vazhduar arsimin e lartë universitar. Pra duhet të jetë një dëshirë.
Sipas ekspertes Ruçi, sot në vend mungon edukimi për karrierën si dhe nuk ka as studimi të mirëfilltë të tregut të punës.
Ajo që shoh unë është se mungon edukimi për karrierën, që është një problem shumë i madh për arsimin profesional, sepse ne nuk kemi një edukim për karrierën, e kemi thjesht për letra, është thjesht teorike. Por, një edukim për karrierën siç do doja të përkufizoja është një studim i tregut. Ne sot nuk kemi një studim tregu, e ecnim në degë që janë në modë, për një pesëvjeçar mund të jetë ekonomia pastaj juridikut, pastaj IT, ndërkohë nuk e dimë realisht se çfarë prodhon tregu i punës. Një edukim për karrierën, pra një bashkim midis institucioneve të ndryshme do te sillte një studim real të tregut do jepte një frymarrje tjetër arsimit profesional për të kuptuar realisht se ku është nevoja.



