Për të dytën herë konstituimi i Kuvendit të Kosovës ka dështuar. Kryesuesi i seancës, deputeti i zgjedhur i LVV-së, Avni Dehari, tha se nuk pati konsensus.

Takimi tregoi qëndrimet aktuale të tyre. Pati përfaqësues që e braktisën konsultimin. Fatkeqësisht nuk pati konsensus. Seanca do të vazhdojë brenda 48 orëve, në orën 12:00 më 19 prill 2025, me shpresë që deri atëherë të ketë dakordësi.
Ndërkohë Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku theksoi para mediave se seanca u bllokua nga drejtuesi Avni Dehari
Qytetarët e Kosovës tashmë e kanë shumë të qartë se kush janë bllokuesit e vërtetë të seancës konstituive. Kryesuesi që rastisi të jetë më i vjetri në moshë, nga partia e parë, pa të drejtë, kundër praktikës kushtetuese, kundër rregullores së kuvendit, ndërpreu seancën e sotme. Ndonëse kishte kuorum të mjaftueshëm dhe kushte për votim të raportit të komisionit verifikues. Është për keqardhje kjo praktikë e re bllokuese e kushtetutshmërisë së Republikës së Kosovës…Kjo shkelje e rëndë, praktikë e pazakontë është sjellje e mbrapsht politike për të cilën nuk kemi arsyetime. Por, gjithsesi do të mblidhemi pas 48 orëve për të shprehur sërish qëndrimin tonë të njëjtë të Lidhjes Demokratike të Kosovës…Kishte kushte për votim, do të duhej të votohej.
Sipas Memli Krasniqit Lëvizja Vetëvendosje nuk është afër arritjes së shumicës, dhe për këtë arsye ata po përpiqen të fitojnë kohë për të bërë pazaret politike.
Sot ka pasur uzurpim partiak të institucionit përfaqësues të qytetarëve të Kosovës. Në vend se të zbatohet skenari i seancës, vazhdimi i saj, të hedhet në votim raporti, një gjë e tillë nuk ka ndodhur por është keqpërdorur kjo e drejtë. Këta jo që nuk kanë shumicë por nuk janë as afër shumicës. I ftoj që mos ta mbajnë peng konsituimin e kuvendit të Kosovës, themelimin e institucioneve të vendit, afatet kushtetuese, por le të vinë në seancë dhe le të votojnë. Këta nuk kanë shumicë parlamentare dhe meqenëse nuk kanë po dëshirojnë me ble kohë edhe 48 orë kohë për me i bë pazaret politike, të cilat edhe mbas dy dite do t’i kenë në nivelin e njëjtë.
Seanca e tretë e radhës për konstituimin e kuvendit u vendos të mbahet në 19 prill.



