Anëtari demokrat në Këshillin Bashkiak Vlorë, Atrid Hoxha, vlerëson ndërhyrjen e Prokurorisë në Bashkinë e Vlorës, duke uruar që kjo procedurë të shkojë deri në fund.
Në një intervistë për edicionin e lajmeve në MCN TV ai deklaroi se vazhdojnë të shtohen punonjës për të bërë qoka politike, duke shtuar se kryebashkiakja e re shtoi 116 punonjës me të ardhur në detyrë.
Sipas tij, punësimet fiktive kanë bërë që qytetarët vlonjatë të mos marrin shërbimet publike.
Nëse shkohet deri në fund do të ketë xhevahire pafund për të shmangur sa më shumë abuzimin me taksat e qytetarëve vlonjatë. Ka një deponim nga një ish-zyrtar i pushtetit vendor i cili ka bashkëpunuar në një formë me organet e drejtësisë.
Jemi të paduruar për të pritur rezultatet e hetimit se prej vitesh në këtë institucion janë vërejtur abuzime me këto sipërfaqe dhe me njerëz që kanë abuzuar, ku i forti i radhës shpesh shfaqej nëpërmjet kontakteve me administratën, si personi që iu kishte marrë hapësirën bizneseve të ndershme që paguanin çdo vit detyrimin për bashkinë Vlorë.
Ndërmarrja e Shërbimeve Publike ndodhet në të njëjtën situatë si Ujësjellësi Vlorë, ku personat e regjistruar në këto institucione, ku Ujësjellësi numëron rreth 430 punonjës, po ashtu dhe Ndërmarrja e Shërbimeve Publike po aq.
Këto punësime fiktive kanë bërë që qytetarët vlonjatë të mos marrin shërbimet publike. Jemi dëshmitarë se si qyteti i Vlorës mbeti disa ditë pa ujë, për shkak se mungonte një pjesë.
Oficerët e Policisë Gjyqësore kanë marrë disa dokumentacione lidhur me hetimin që po zhvillohet. Kanë qenë në drejtorinë e aseteve, kjo drejtori ka menaxhuar sipërfaqet e shfrytëzuara nga bizneset apo në plazh.
I janë drejtuar Ujësjellësit Vlorë për të marrë dokumentacionin e punësimit, për të verifikuar nëse këta punonjës qëndrojnë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë apo jashtë dhe marrin rrogën fiktivisht në këtë institucion.
Kryetarja e bashkisë e sapo mandatuar ka shtuar 116 punonjës të tjerë, janë njerëz të identifikuar si mbështetës të PS, komisionerë, vëzhgues etj. Aktualisht janë 1600 punonjës marrin rrogën në bashkinë Vlorë. Vazhdojnë shtohen punonjës për të bërë qoka politike.



