Ka dështuar për të disatën herë seanca e parë në themel për një nga fraksionet e dosjes së ARRSH-së, me të pandehur Evis Berberin dhe mbi 20 peronave të tjerë: Gentjan Gjyli, Erald Elezi, Ervis Lami, Brunilda Buli, Genti Raça,, Artan Leskoviku, Altin Marko, Orjon Islamaj, Adrian Kroi, Bledar Aliaj, Blerta Musabelli, Kamelia Tafaj, Adela Kica, Denis Xhoxhi, Ajda Strazimiri, Gezim Noni, Shkelqim Lusha, Ela Goxhaj, Jetmira Dervishi, Valbona Pepa.
Shkak është bërë mungesa e avokatëve të Berberit, njëri prej të cilëve paraqiti raport mjekësor. Po ashtu gjykata bëri me dije se avokati tjetër Gentian Rumano nuk kishte motive të arsyeshme, duke e gjobitur me 500 mijë lekë të vjetra.
Seanca e radhës u la më 1 prill, pavarësisht se disa nga avokatët kërkuan një datë tjetër pasi “1 Prilli” sipas tyre është datë ters.
Ndaj të gjithë grupit janë ngritur akuzat “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike" kryer në bashkëpunim, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Mashtrimi me pasoja të rënda” dhe “Falsifikim i dokumenteve", kryer në bashkëpunim.
Të pandehur nga SPAK janë marrë edhe dy shoqëritë “Net” shpk dhe “Daam” shpk, të cilat po gjykohen më vete me procedurë të zakonshme.



