
Dixhitalb, platforma më e madhe televizive në Shqipëri është në bisedime për t’u shitur. MCN ka mësuar se një grup i fuqishëm shqiptar me investime në disa fusha, përfshirë atë mediatike është duke marrë kontrollin e platformës përmes blerjes së aksioneve nga pronarët ekzistues të dixhitalb.
MCN mundi të konfirmojë se deri tani është dakortësuar blerja e paketës maxhoritare të aksioneve, përfshirë ato që kontrollohen nga Vjollca Hoxha, ndërkohë që po zhvillohen negociata edhe për pjesën e mbetur të aksioneve deri në kontrollin e plotë të kompanisë.
E themeluar në vitin 2004, dixhitalb ka qenë platforma e parë dhe më e madhe e pay tv në Shqipëri. Për shumë vite shoqëria ka qenë nën zotërimin e familjes Hoxha. Por pas një marrëveshje të dështuar biznesi për blerjen e supersport dhe vështirësive financiare, vitin e kaluar kjo familje e humbi kontrollin e dixhitalb me vendim gjykate duke rënë në 42 % të aksioneve. Me strukturën e re, kontrolli I kompanise kaloi tek një grup biznesmenësh të njohur shqiptar, ku bënin pjesë Aleksandër Frangaj, Zamir Mane, Agim Zeqo dhe Armand Duka.
Familja Hoxha nuk u pajtua asnjëherë me vendimin e gjykatës dhe brenda kompanisë nisën përplasje të forta mes saj dhe aksionerëve të maxhorancës. Madje për disa kohë, dixhitalb është drejtuar nga dy administratorë, një përfaqësues për secilin grup të aksionerëve, por konfliktet e vazhdueshme cuan në bllokim të vendimarrjes deri edhe në vonesat e pagave të punonjësve.
Me sa duket shitja e Dixhitalb i jep fund njëherë e mirë sherreve mes aksionerëve, veçanërisht atyre mes Aleksandër Frangaj dhe Vjollca Hoxhas. Pronarja e top medias tashmë do të dalë tërësisht nga kompania që themeloi 17 vjet më parë bashkëshorti i saj i ndjerë Dritan Hoxha, ndërkohë që edhe grupi tjetër i pronareve kanë rënë dakord për shitjen e aksioneve të tyre tek I njëjti blerës, një biznesmen I njohur dhe ndër më të fuqishmit në Shqipëri.
Shitja e dixhitalb vjen në një kohë kur treguesit financiarë të kësaj kompanie janë dobësuar. Në vitin 2013 kompania regjistronte një fitim neto prej 5.4 milionë dollarë. Por në 2016-ën fitimi ra në vetëm 1 milionë dollarë, ndërkohë që edhe pas bashkimit me supersort ka mbetur sërish nën 50 për qind të fitimeve të vitit 2013. Tashmë mbetet për t’u parë nëse do të arrijë injektimi I kapitalit të freskët në shoqëri dhe kontrolli I saj në një dorë, ti rikthejnë dixhitalbit lavdinë dhe rezultatet e dikurshme financiare.



