
Ambasada e Ekuadorit në Londër po përgatitet të dëbojë themeluesin e Wikileaks, Julian Asange, i cili ka arritur një marrëveshje me Britaninë e Madhe për arrestimin e tij. Lajmin e bën të ditur vetë Wikileaks në Twitter, duke iu referuar disa burimeve që i konsideron të sigurta.
Presidenti i Ekuadorit, Lenin Moreno, kohët e fundit e ka akuzuar shpesh Assange-in se ka shkelur kushtet e azilit në ambasadë.
Megjithatë, një funksionar i qeverisë në Ekuador është shprehur se nuk ka ende një vendim zyrtar.
Në një deklaratë të bërë sot, ekipi ligjor i WikiLeaks tha se dëbimi i Assange do të "shkelte ligjin ndërkombëtar të refugjatëve dhe do të jetë një sulm ndaj OKB-së, e cila ka kërkuar vazhdimisht që Assange të lirohet.
"Do të jetë një ditë e trishtuar për demokracinë nëse qeveritë e Mbretërisë së Bashkuar dhe ekuadoriane bëhen bashkëpunëtorë të vendosmërisë së administratës Trump për të ndjekur penalisht një botues për botimin e informacioneve të vërteta", thuhet në deklaratë e WikiLeaks.
Assange ka jetuar brenda ambasadës së Ekuadorit në Londër që nga viti 2012, ku u strehua pasi një gjykatë britanike vendosi që ai të ekstradohej në Suedi, për akuzat për sulme seksuale.
Suedia e rrëzoi akuzat në vitin 2017, por Assange mbetet në ambasadë pas akuzave të ngritura për spiunazh.
Assange i frikësohet ekstradimit në SHBA për t'u përballur me akuzat për publikimin në internet të dosjeve me sensivitet të lartë të qeverisë amerikane, të cilat kanë të bëjnë më së shumti me dokumente mbi luftërat e Irakut dhe Afganistanit.



