Lee Kun-hee, presidenti i Samsung Electronics, ka ndërruar jetë në Seul. Kun-hee ka qenë në spital për shumë vite, pas një ataku në zemër në vitin 2014.
Lajmi u bë i ditur nga konglomerati industrial në Korenë e Jugut. Në njoftimin e saj, kompania thekson se Lee, autori i transformimit të Samsung në një lider gjigant botëror veçanërisht në elektronikë dhe mikroprocesorë, ishte 78 vjeç.
“Të gjithë ne në Samsung do ta mbajmë mend gjatë dhe i jemi mirënjohës për udhëtimin që ndamë me të", thuhet në deklaratën e kompanisë.
Lee bëri që biznesi i vogël tregtar i babait të tij të shndërrohej në një gjigant ekonomik, duke u diversifikuar në fusha si sigurimi dhe transporti detar.
Gjatë drejtimit të tij, Samsung Electronics u bë një nga firmat më të mëdha në botë të teknologjisë.
Ai ishte njeriu më i pasur në Korenë e Jugut, sipas Forbes, me një vlerë neto të pasurisë prej gati 21 miliardë dollarësh (16 miliardë funte).
Lee ishte djali i tretë i Lee Byung-chul, i cili themeloi Samsung Group në 1938. Ai iu bashkua biznesit të familjes në vitin 1968 dhe mori drejtmin në 1987 pas vdekjes së babait të tij.
Në atë kohë, Samsung shihej si prodhues i produkteve me cilësi të ulët dhe të lirë. Por nën udhëheqjen e tij u ndërmorën reforma rrënjësore në kompani.
Lee njihet për thënien e famshme drejtuar punonjësve në 1993: "Le të ndryshojmë gjithçka përveç grave dhe fëmijëve tanë". Pas kësaj, kompania dogji të gjithë sasinë stok të telefonave celularë, gjithsesj 150 000 aparate.
Lee nuk ka dalë shpesh në media dhe kishte krijuar reputacionin e njeriut të vetmuar.
Samsung është konglomerati më i madh familjar në Korenë e Jugut.
Ky konglomerat dhe të tjerë në Korenë e Jugut kanë ndihmuar për të nxitur transformimin ekonomik të vendit pas Luftës së Dytë Botërore, por janë akuzuar prej kohësh për marrëdhënie të paqarta politike dhe biznesi. Vetë Lee është dënuar dy herë për vepra penale, përfshirë ryshfetin e ish-Presidentit Roh Tae-woo.
Ai dha dorëheqjen nga posti i shefit të Samsungut në 2008 pasi u akuzua për evazion fiskal dhe përvetësim. Pasi u dënua me tre vjet burg për evazion fiskal, ai u fal nga presidenti në 2009 dhe drejtoi ofertën e suksesshme të Koresë së Jugut për të pritur Lojërat Olimpike Dimërore 2018.
Ai u rikthye si drejtues i Samsung Group në vitin 2010, por ataku në zemër katër vjet më vonë, do ta bënte të paaftë për punë aktive.
Djali i Lee, Lee Jae-yong, ka bërë burg për rolin e tij në një skandal ryshfeti, i cili shkaktoi dëbimin e Presidentes së atëhershme Park Geun-hye nga zyra në 2017. Muajin e kaluar, prokurorët ngritën akuza të reja kundër tij për rolin që ka pasur në një marrëveshje shkrirjeje kompanish në vitin 2015. / BBC /



