
Rusja Svetlana Timofeeva është paraqitur sërish para gjykatës, këtë herë me kërkesë të Prokurorisë e cila kërkon zgjatjen e afateve të paraburgimit, raporton korrespondenti i MCN Tv në Elbasan. Por mbrojtja kundërshton pasi Timofeeva ka kaluar afatet e paraburgimit dhe duhet të ishte liruar nga burgu.
Gjykata e Elbasanit ka pranuar të shqyrtojë kërkesën e Prokurorisë për shtyrjen e afatit të masës së sigurisë. Kjo ka bërë që mbrojtja të kërkojë përjashtimin e gjyqtarit. Nisur nga fakti që gjyqtar i çështjes është kryetarja e gjykatës, kërkesën për përjashtim duhet ta shqyrtojë Gjykata e Apelit në Tiranë.
Svetlana Timofeeva, është një nga tre të arrestuarit pasi tentuan të futen në uzinën e armëve në Gramsh. Krahas saj ndodhen pas hekurave dhe rusi tjetër Mikhail Zorin, 23 vjeç dhe 25-vjeçari ukrainas Fiodor Mihailoviç, të cilët u kapën pasi po fotografonin ambientet në Uzinën e Armëve.



