Gazetarja në Kosovë Albionë Zhitia, tha në një lidhje me skype për edicionin e lajmeve në MCN TV se ndërkohë që ka përfunduar numërimi i votave për kandidatët për deputetë, shpresat e VV-së janë tanimë te votat e diasporës.
Sipas projeksioneve edhe me votat e diasporës, të minoriteteve, apo deputetin serb Nashiç, “Vetëvendosja” nuk i ka të sigurta 61-62 mandatet që i japin shumicën.
Kësisoj një alternativë mund të jetë koalicioni me partinë e Fatmir Limajt, që ka siguruar 4 deputetë.
Në rastin më të mirë Kurti pritet të ketë një shumicë të brishtë, që mund të sjellë krizë gjatë zgjedhjes së Presidentit, apo të çojë në zgjedhje të parakohshme.
“Ka përfunduar numërimi i të gjithë votave për kandidatët për deputetë, por ende s’ka filluar numërimi i votave të diasporës, pasi aty po mbahen shpresat që partia e parë fituese të ketë një numër më të madh deputetësh se sa ka. Në këto zgjedhje kemi ulje të daljeve të rezultateve për të votuar, vetëm 40 për qind. Lëvizja VV përkundër që përsëriti suksesin e 2021-shit, por nuk arriti të grumbullojë votat e 2021-shit mbi 50 për qind, por është ende 40,9 për qind, dhe kjo po i vështirëson punë Kurtit që të marrë mandatin për qeverinë e re, pasi ende s’i ka numrat për ulëset në Kuvend. Partia Lista Serbe ka marrë 9 deputetë. Një mandat ka marrë edhe Nashiç që ka qenë i hapur me VV-në apo cilëndo parti. VV po shpreson te votat e diasporës, sepse janë 80 mijë vota, dhe diaspora është shndërruar në bastion të Vetëvendosjes, por në këto zgjedhje kemi pasur një angazhim shumë më të madh të partive të tjera. Mund të kemi vota të përgjysmuara mes tri partive, por shumicën mund t’i marrë VV. Me numrat aktualë VV ka 45-46, dhe synim ka të shkojë 49 deputetë, plus 10 të minoriteteve numri do shkojë në 59. Kemi edhe Nashiçin, që është i hapur për bashkëpunim që të shkojë në 60. Sërish s’do jenë numrat e nevojshëm për 61-62. Kemi një lëvizje të Limajt, me 4 deputetë, që s’ka vendosur vija të kuqe me çdo parti. Nëse Limaj bën këtë lëvizje Kurti ka automatikisht mbi 62 deputetë, dhe krijohet qeveria. Por Kurti s’do jetë i qetë, pasi me zgjedhjen e Presidentit do ketë një krizë të re politike, që nëse s’ka konsensus mund të çojë edhe në zgjedhje të reja nacionale”.



