
Për të gjashtën natë radhazi mijëra qytetarë francezë protestuan të revoltuar për vrasjen nga policia të 17 vjeçarit Nael M. Lumi i revoltës duket i pandalshëm pasi sapo bie errësira, të rinjtë fillojnë të djegin kazanët, ndërtesat publike dhe dyqanet. Policët pas urdhrave të qeverisë franceze kanë bërë mbi 3 mijë arrestime dhe po përpiqen të parandalojnë incidentet, duke arritur deri aty sa të monitorojnë postimet në mediat sociale. Ndërsa bashkiaket e Francës i bënë thirrje publikut dhe zyrtareve të zgjedhur që të mobilizohen kundër trazirave, një ditë me parë u sulmua shtëpia e kryebashkiakut në periferi të Parisit. Edhe familjarët e 17-vjeçarit të vrarë deklaruan se ata nuk dëshirojnë që vdekja e tij të shkaktojë trazira të tillë por apelojnë për ndryshimin e ligjit i cili u legjitmon policëve të drejtën për të qëlluar në ndalesat e trafikut. "Ne kurrë nuk kemi bërë thirrje për urrejtje apo trazira. Ne nuk kemi kërkuar të thyejmë apo të vjedhim. E gjithë kjo nuk është për Nahelin. Ne kemi bërë thirrje vetëm për një marsh ‘Marsh të Bardhë në rrugë’ ecje në kujtim të Nahelit, ecje që demonstron zemërim por pa shpërthime.”, tha i afërmi i viktimës Nahel M. I pafuqishëm për të kontrolluar zemërimin e të rinjve duket presidenti Makron, i cili po përballet me sfidën më të madhe të mandatit të tij. Fillimisht ai u kap duke kërcyer me këngët e Elton John-it teksa Franca digjej nga protestat ndërsa më pas nxori në rrugët mjetet e blinduara, për të fajësuar deri videolojërat për trazirat në vendin e tij Nahel M u qëllua nga policia pasi sipas kësaj të fundit nuk i’u përgjigj thirrjes për një kontroll trafiku të martën e kaluar. Policia fillimisht raportoi për një tjetër version i cili u kundërshtua nga një video që u bë virale në mediat sociale që tregonte se makina ishte ndaluar dhe policët pasi e kishin kërcënuar e kishin qëlluar me armë.



