
Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Drejtorinë e Policisë Tiranë ka kryer veprimet hetimore për ngjarjen e ndodhur mëngjesin e datës 4 dhjetor, ku një i arrestuar u arratis nga duar e policëve.
Ngjarja ndodhi teksa po kryheshin procedurat për marrjen e gjurmëve të gishtave. Nga dinamika në bazë të këqyrjes së vendit të ngjarjes, pamjeve filmike, deklarimeve të marra punonjësve të Policisë, si dhe pas komunikimit me prokurorin e Prokurorisë Tiranë, SHÇBA njoftoi sot se ka referuar materialet procedurale në gjendje të lirë, për 7 punonjës policie: Inspektor M.B., 60 vjeç, Trupë Shërbimi në Seksionin e Ruajtjes së Rendit dhe Patrullës së Përgjithshme; Inspektor M.Xh., 53 vjeç, Nd/specialist në Zyrën e Informacionit të Komisariatit të Policisë Nr.1 Tiranë; Inspektor Gj.F., 51 vjeç, Nd/specialist në Zyrën e Informacionit të Komisariatit të Policisë Nr.1 Tiranë.
Ata dyshohet se kanë shkelur procedurat standarde të punës të vendosura për rastet e shoqërimit të të arrestuarve/ndaluarve nga Dhomat e Izolimit në ambiente të tjera, duke mos zbatuar me korrektësi dhe duke sjellë si pasojë largimin e shtetasit R.L.
Ndërsa Inspektor A.D., 51 vjeç, Përgjegjës në Dhomat e Paraburgimit të Komisariatit të Policisë Nr.1 Tiranë; Komisar R.Sh., 45 vjeç, Shef i Seksionit të Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr.1 Tiranë; N/Komisar Gj.Gj., 47 vjeç, Specialist i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr.1 Tiranë, kanë përgjegjësi për ushtrimin e kontrolleve dhe forcimin e disiplinës për zbatimin e rregullores së shoqërimit të të arrestuarve/ndaluarve në dhomat e shoqërimit, gjatë lëvizjes së tyre.
Inspektor F.K., 50 vjeç, Laborant i Policisë Shkencore në Komisariatin e Policisë Nr.1 Tiranë, Në cilësinë e laborantit kriminalist, ka përgjegjësi të respektojë kërkesat e procedurave standarde gjatë marrjes së gjurmëve të gishtave në ambientet e Komisariatit ndaj shtetasve të arrestuar.
Materialet janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Tiranë për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, në gjendje të lirë, duke iu referuar çdo funksioni për detyrat e shkelura dhe për pasojën e ardhur. Veprimtaria hetimore vijon në lidhje me dinamikën e mëtejshme të hetimit, duke synuar vlerësimin mbi detyrimet ligjore dhe përgjegjësitë e çdo punonjësi policie në çdo nivel bazuar në situatën konkrete, si dhe duke vlerësuar shkallën e mundshme të implikimit të strukturave, nëse ka patur të tillë.



