
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka përcjellë urimet për festën e Kurban Bajramit nga Meka, duke theksuar rëndësinë e solidaritetit, besimit dhe harmonisë mes njerëzve.
Në mesazhin e tij drejtuar besimtarëve myslimanë, kreu i shtetit uroi më shumë begati, shëndet dhe mirësi për familjet shqiptare, ndërsa nënvizoi se shoqëria bëhet më e fortë kur njerëzit ndajnë jo vetëm gëzimin, por edhe dhimbjen dhe përgjegjësinë për njëri-tjetrin.
Begaj theksoi se festa e Kurban Bajramit rikujton vlerat që shqiptarët kanë ruajtur ndër shekuj, si besimi, familja, mikpritja dhe respekti reciprok.
Të dashur besimtarë myslimanë,
Nga Meka, qyteti i shenjtë i besimit dhe paqes, në këtë ditë të shënuar të Kurban Bajramit, ju përcjell urimet më të përzemërta për më shumë begati, shëndet, harmoni dhe mirësi në familjet tuaja!
Kurban Bajrami është kujtesë për sakrificën, përkushtimin ndaj Zotit, solidaritetin me njëri-tjetrin dhe kujdesin për ata që kanë më shumë nevojë. Shoqëria bëhet më e fortë kur njerëzit ndajnë jo vetëm gëzimin, por edhe dhembjen dhe përgjegjësinë për tjetrin.
Festa si Kurban Bajrami na rikujtojnë vlerat që i kemi mbajtur gjallë ndër shekuj: besimin, familjen, mikpritjen dhe respektin për njëri-tjetrin.
Jam veçanërisht i nderuar që këtë festë ta pres në Mbretërinë e Arabisë Saudite me ftesë të Mbretit Salman bin Abdulaziz Al Saud, në vendin ku miliona besimtarë nga e gjithë bota bashkohen në lutje, përulësi dhe paqe.
Gëzuar Kurban Bajramin! Zoti sjelltë paqe, mirësi dhe begati në çdo vatër shqiptare!



