Ish-deputeti socialist Petro Koçi, e cilëson të papranueshëm, kërcënimin e përsëritur ndaj drejtorit të përgjithshëm të MCN TV, Endri Meksi.
Ai tha për “MCN Live” se duhet reaguar me forcë nga Ministria e Brendshme dhe prokuroria.
Është e papranueshme dhe e dënueshme të ndodhë diçka e tillë. Kjo që ka ndodhur është e papranueshme, nuk ka ndonjë justifikim dhe duhet reaguar me forcë qoftë nga Ministria e Brendshme dhe nga ana e prokurorisë.
Mund të bëhet denoncimi i drejtpërdrejtë në prokurori, jo vetëm në polici. Fakti që vijnë te dera e medias njerëz që kërcënojnë fizikisht apo me jetë jo vetëm pronarin, por edhe një gazetar, kjo është një gjë shumë e rëndë.
Në momentin që kamerat e kapin një akt të tillë banditesk, kuptohet që ky është një akt publik, i ndodhur publikisht. Kur nuk reagon ndaj rasteve të tilla bie besueshmëria ndaj institucioneve.
Krimi i organizuar mendoj se është bërë më i perfeksionuar dhe është dhe arrogancë dhe kurajo për të tejkaluar ligjin, por dhe një lloj nervozizmi. Besueshmëria te institucionet do të ulet, nëse nuk reagojnë. Patjetër që një ngjarje e tillë i demotivon gazetarët.
Ndërsa gazetari Mariglen Kume u shpreh se një ngjarje e tillë vjen pas denoncimeve nga televizioni për afera si AKSHI, “Durana” apo ngjarje që kanë të bëjnë me pastrimin e parave.
Tani marrin guximin krimi i organizuar dhe vjen kërcënon në dorë të shtëpisë dhe policia që është 50 metra larg vjen dhe i thotë pronarit të MCN pse e denoncove. Ajo që është alarmante dhe ngre flamurin e kuq, është se është bërë denoncimi menjëherë në polici dhe policia thotë pse denoncon.
I janë çuar me vullnet të plotë pamjet policisë dhe policia nuk i referon në prokurori. Nuk u mor asnjë masë që nga 10 marsi. Dhe ngjarja u përsërit. Përsëritja e kërcënimit ndodhi se policia nuk mori asnjë masë. Madje u mundua të manipulojë deklaratën, duke e bërë fatorino autobusin, pronarin e një media.



