
Nga data18 shtator do të nisë Censi i Popullsisë dhe Banesave.
I pranishëm në konferencë hapëse për Censin, kryeministri Edi Rama, e vlerësoi si mjaft të rëndësishme një nismë të tillë statistikore për të lexuar të sotmen dhe për të zhvilluar të ardhmen e vendit.
Nis Censi i Popullsisë dhe Banesave, numërimi i të gjithë popullsisë dhe banesave, operacioni më i rëndësishëm statistikor për të lexuar të sotmen dhe zhvilluar të ardhmen e Shqipërisë.
Sot në këtë prezantim të një tjetër nisme të rëndësishme, e cila do të ishte e pamundur pa ndihmën e partnerëve.
Jam së bashku me ambasadorin Luigi Soreca, i cili me rikthimin e tij në Shqipëri, qoftë edhe për pak muaj meriton titullin legjendar, sepse vetëm në legjende ndodh që ata që ikin përgjithmonë të rikthehen përsëri .
Duke pasur parasysh që sa shumë punë të mira dhe sa projekte të rëndësishme janë realizuar në Shqipëri pas këtyre prezantimeve në kohën e qëndrimit këtu të Luigit besoj se mund të them pa droje se këmba e Luigit është e mbarë dhe do jetë ogur i mirë ky prezantim i Luigit këtu edhe për suksesin e një nisme të jashtëzakonshme për nga rëndësia , përmasa edhe për nga vështirësia për tu realizuar me sukses.
Kreu i Qeverisë siguroi se censi do të jetë i standardeve më të larta.
Them se sot janë pjekur kushtet për një proces të tillë me kaq rëndësi dhe do ta bëjmë atë sipas standardeve evropiane. Kjo duke marrë parasysh dy faktorë.
Fillimisht bashkëpunimi me partnerët francezë, zviceranë, gjermanë, të njohur për saktësinë dhe ndihmën e BE-së me fondet.
55% e shpenzimeve do të mbulohen nga Qeveria, ndërsa tjetra nga këta partnerë.
Faktori i dytë do të jetë përdorimi i teknologjisë së lartë.
Do të jetë një ushtrim i vështirë për të mbledhur në gjashtë javë të gjitha të dhënat që janë një nevojë absolute për shumë arsye, duhet realisht të identifikojmë sa shqiptarë të këtij vendi jetojnë në këtë vend sot dhe sa është numri i pasurive të tyre të patundshme.
Nuk bëhet më fjalë që Shqipëria të fshikullohet për statistika të fryra. Kjo është punë që po përgatitet prej 4 vitesh.
Regjistrimi do të bëhet në kohë reale, në bazë të të gjithë zonave të regjistruesve, falë përdorimit të teknologjisë.
Nga ana e tij, i ngarkuari me punë në Zyrën e BE në Shqipëri, ambasadori Luigi Soreca, tha se Censi i popullsisë do të ndihmojë Shqipërinë në përmbushjen e kapitujve për integrim në Bashkimin Europian.
Ai shtoi se ky proces do të paraqesë të dhëna më të besueshme dhe rrjedhimisht do të ketë më shumë fonde nga BE.
Kjo do të ketë një rëndësi shumë të madhe për të besuar informacion të besueshëm, për të planifikuar dhe hartuar shënime të mira publike dhe për të dhënë fonde në buxhetin shtetëror.
Siç e dimë Shqipëria në rajon në përgjithësi përballet me sfida specifike, prandaj duhet të ketë informacion të besueshëm specifikisht për sa i përket kësaj zgjedhje, që kanë të bëjnë me çështje speciale.
Kjo pikë dhe zhvillimi i mëtejshëm statistikor në Shqipëri është mjaft i rëndësishëm dhe për hapjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë. Nuk është rastësi që kapitulli që përfshin statistikat, përfshihet në grup kapitujt thelbësore.



