Kronos/ Rrugëtimi politik i Erion Veliaj

Kronos/ Rrugëtimi politik i Erion Veliaj

Erdhën në qeveri duke denoncuar sistemin e korrupsionit nga i cili shqiptarët po vuajnë në 3 dekada demokraci.

Djem të rinj, të angazhuar në jetën publike dhe që ishin zëri më i fortë i një brezi që kërkonte mirëqeverisje e nisën rrugëtimin në politikë si aktivistë të Lëvizjes Mjaft.

Lëvizja më pas do të merrte formën e një partie cila në vitin 2009 nuk do të arrinte të kalonte pragun për të nxjerrë përfaqësues në Kuvendin e Shqipërisë. Partia G-99 mori vetëm 0.86% të votave të hedhura në kutitë e zgjedhësve, pa arritur të kalonte kufirin minimal 1%.

Në vitin 2011  Erion Veliaj do t’i bashkohej Partisë Socialiste si Sekretar për Rininë dhe Emigracionin dhe do të zgjidhej deputet në qarkun e Gjirokastrës në vitin 2013.

 

G-99 me frymën që sillte me të rinjtë si forcë politike, do t’i bashkohej një koalicioni të madh të Partinë Socialiste, Aleanca për Shqipërinë Evropiane me 34 forca politike në total, të cilat do të votëbesoheshin me 993.904 vota.

 

Të rinjtë e kësaj force do të kishin një angazhim të mirë në qeverinë Rama 1. Erion Veliaj u caktua në dikasterin e ministrit të Çështjeve Sociale dhe Rinisë. Elisa Spiropali drejtore e Doganave, Ervin Mete në postin e zëvendës ministrit të Financave, Arbjan Mazniku zëvendës ministër i Arsimit dhe Sportit, Olta Xhaçka do të gëzonte mandatin si deputete dhe do të drejtonte ministri të rëndësishme si ajo e Mirëqënies Sociale, Mbrojtjes e më pas ministrisë së Jashtme.

 

“Kjo ishte një lëvizje që në simbolikën dhe formën e organizimit u kopjua nga vende të tjera. Madje disa thonë që ishte pjesë e revolucioneve me ngjyra që u zhvilluan nëpër botë madje dhe në Serbinë fqinjë dhe natyrisht që dha efektet dhe në Shqipëri. Në momentin që ndodhi ajo prodhoi një zhurmë jashtëzakonisht të madhe, ishte herë e parë që një lëvizje sociale kërkonte mobilizim nga poshtë – lart dhe ngjalli shumë shpresë për dimensionin antikorrptiv. Më pas u mundua të kanalizohej në një poarti politike të quajtur G-99, e cila mori shumë pak vota dhe nuk arriti të merrte asnjë mandat deputeti. Kjo parti u shkri më pas brenda Partisë Socialiste dhe u katapultua në struktura drejtuese të saj.” thotë politologu Ilir Kalemaj.

 

Në luftën politike brenda Partisë Socialiste, njerzit që kishin mbledhur rreth vëmendjen dhe pushtetit për të organizuar terrenin e pasardhësit që do të drejtonte këtë forcë ishin dy: Saimir Tahiri dhe Erjon Veliaj.

 

Tahiri një super ministër i ndodhur në ministrinë e sfidave dhe luftës me krimin.

Ekranet televizive dominoheshin nga ai, si për luftën që bëri policia për të zhbërë funksionimin si shtet më vete të fshatit Lazarat në Gjirokastër, i cili historikisht kultivonte dhe trafikonte kanabis Sativa, por dhe në mbështetjen që kishte policia në shumë reforma të mandatit të parë të qeverisë Rama: lufta kundër grupeve kriminale, tregut të bixhozit, reformës së energjisë elektrike dhe aksionit informalitet.

 

Po aq të forta do të ishin për ministrin e Brendshëm dhe akuzat për kanabizimin e vendit, shpërthimin e skandaleve të bandave që vendosnin gjoba për biznesmenë të mëdhenj e ndërhynin në zgjedhjet e Universiteteve apo dhe vjedhjet e bankave si në skenarët e filmave ëestern.

 

Përballë të gjithë kësaj vëmendje, pozitive dhe negative, Erion Veliaj ishte ministri i të rinjve dhe angazhimi më i lartë që pati në drejtimin e Ministrisë së Çështjeve Sociale ishte reforma e pensioneve, një reformë e cila sërish planfikohet të ndryshojë pasi nuk arriti të përmbushte qëllimin në uljen e defiçitit të skemës.

 

E në këtë moment kulminant të karrierës së Tahirit, do të niste ngritja politike e Veliajt. Pas një heshtjeje disa javore, kreu i Partisë Socialiste Edi Rama, vendos ta nominojë në zgjedhjet vendore 2015, si kandidat në bashkinë kryesore të vendit: atë të Tiranës. Këtu fillon ngjitja e karrierës së Veliajt dhe rënia e asaj të Tahirit, i cili shkarkohet si ministër në prag të zgjedhjeve elektorale 2017, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon arrestimin e tij si i përfshirë në trafik droge dhe pas disa vitesh ai do të dënohej në vitin 2022 me 3 vjet e 4 muaj burg për ‘shpërdorim detyre’.

 

Erion Veliaj tashmë kishte të gjithë shkëlqimin e pushtetit dhe forcës që të vesh një nga bashkitë më të rëndësishme të vendit! Lejet e ndërtimit me vlerë miliarda euro tashmë ishin në dorën e kreut të bashkisë më të madhe në vend. Bashkia menaxhon një buxheto vjetor me vlerë 300 milion euro dhe ka një staf punonjësish prej 11 700 individësh dhe dhjetra kompani në pronësi të saj.

 

Qeverisja e bashkisë së Tiranës do të ishte më pak e përfolura në media. Në vend të kullave dhe betonit që po pushtonte kryeqytetin, në ekranet e televizioneve kryebashkiaku do të identifikohej me mbjelljen e pemëve.

 

Të njëjtin rol do të merrte kryebashkiaku edhe gjatë fatkeqësisë natyrore të tërmetit, ku menaxhoi si autoritet kontraktor afërsisht 350 milion euro, ndërsa pati kontestime të shumta të banorëve për prishje të shtëpive pa patur një ekspertizë të saktë. Sërish do të merrte përgëzime!

 

Lojën politike për të treguar veten afër kryeministrit dhe Partisë Socialiste do ta luante dhe në situata krizash. Taksat që rriti menjëherë pas ardhjes në krye të bashkisë, do të ngrinin gjatë pandemisë.  Në vitin 2021 ai shpërblehet me postin e drejtuesit politik të qarkut të Tiranës, kur ishin dhe zgjedhjet e përgjithshme që i dhanë PS-së mandatin e tretë. Jo vetëm në struktura, por dhe në listat e deputetëve do të dalloheshin njerzit e vendosur nga Veliaj.

 

“Kjo lëvizje është mbajtur me anë të posteve administrativë dhe politikë. Mund të kujtojmë këtu që dy nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të zotit Veliaj, nënkryetari i Bashkisë Tiranë Arbjan Mazniku sot është ministër I Pushtetit Vendor, ministry I Financave është ish-kryetar  G-99.” sqaron Kalemaj.

 

Muajt pas zgjedhjeve të vitit 2021, mund të shihen të rënda për opozitën, por kostot e luftës politike nuk do t’i shpëtonin as njerëzve më të rëndësishëm të mazhorancës. Kërkesa e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor për çështjen e inceneratorëve e detyroi Veliaj dhe kryeministrin Rama të thirreshin në seancë dëgjimore.

 

“Erion Veliaj bashkë me drejtorët e tij përfaqëson modelin e të riut i cili zgjodhi që për tu pasuruar sa më shpejt të përfshihej në politikë dhe të vidhte paranë publike dhe të krijonte të mira materiale për veten dhe familjen e tij. Ky është një precedent shumë i rrezikshëm, nuk zgjodhi atë që duhet të përfaqësonte çdo i ri sot: të riun që përmes sakrificës dhe mundit, aftësisë dhe integritetit të ngrihet në një shoqëri ku të gjithë respektojnë ligjin.” thotë përfaqësuesi i Nismës Thurje, Pano Soko.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy