Pas miratimit të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, opozita e bashkuar ka reaguar përmes krerëve të dy partive më të mëdha, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi.
Basha ka reaguar nëpërmjet rrjeteve sociale, duke e cilësuar antikushtetues miratimin e ndryshimeve.
“Akti i sotëm shkatërron marrëveshjen e 5 qershorit”, shprehet Basha.
Ndërsa kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, e cilëson këtë vendim formalizim të frikës së kreyministrit për të hapur listat.
“Frikacaku tregoi se ka frikë nga vota e shqiptarëve. Sot jo vetëm nuk hapi listat, por i bunkerizoi”, tha ajo në një konferencë shtypi.
Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot me 97 vota pro, 15 abstenim dhe 5 kundër, Kodin e ri Zgjedhor, i cili përfshin një sërë ndryshimesh, si heqja e koalicioneve, uljen e pragut zgjedhor në 1% dhe hapjen e listave.
Për të miratuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor në Parlament, nevojiteshin 84 vota.



