Artan Shyti, ish-kryetari i Shoqatës së Lojërave të Fatit, duke folur në MCN Live mbi bastet sportive online tha se ligji i ri e vështirëson operimin e kompanive që kanë përvojë në këtë aktivitet. Shyti ngre pyetjen përse duhet një ortak ndërkombëtar për kompanitë e licensuara. Po ashtu ai vë në dukje se nuk mund të kontrollohet nga shteti përmes celularëve të përdoruesve, për të ndarë të ligjshmen nga e paligjshmja.
“Nuk është e thjeshtë të analizosh punën e deputetëve, por kur di diçka nga një fushë e caktuar që diskutohet, e kupton që një pjesë e mire e tyre duhet të jenë më të azhornuar, më të informuar për pr.ligjet që do miratojnë. Për fat të keq edhe kur u tentua të mbyllen, edhe tani…Sepse ky është termi i duhur, u tentua të mbyllen. Me duart e kryeministrit iu dha paligjshmërisë. Thoja tre here në ditë që nuk u mbyllim dot, sepse s’do jetë Shqipëria vendi i vetëm që mund t’i mbyllë. Nuk na dëgjuan. Tani po tentojmë që atë gabim që qeveria e bëri, ta ndihmojmë që të mos e thellojë gabimin. Sot është i konsoliduar sistemi i paligjshmërisë dhe është shumë e komplikuar që të kthehen në ligjshmëri. Ky ligj nuk e garanton këtë gjë. Vesi nuk mbyllet me dhunë, duhet trajtuar. U thirrëm në qeveri për t’u konsultuar për ligjin, asnjë gjë nga ato që thamë nuk u mor parasysh”, u shpreh ai.
"Dëgjova njërin mbrëmë që qeveria ka humbur 300 milionë euro në vit, çfarë janë këto shifra?! Janë shumë më pak shifra se çfarë mendohet. Këta që kur e tatuan, e tatuan mbi xhiron! Xhiro ka sens në disa aktivitete, jo në aktivitete të tjera. Mund të jenë rreth 200 milionë euro që qarkullojnë. Në gjithë vitin mund të qarkullojnë kaq. Janë të paligjshme sot. Çështja nuk bëhet për ata që organizojnë, sepse janë decentralizuar. Asnjë aksioner i kompanive të basteve nuk kishte një rekord kriminal sepse nuk i jepej e drejta. Atje ku këta lanë terren të lirë, ligjshmërinë e pushtoi paligjshmëria. Tashti çështja është çfarë do bëjmë ne që ky sistem i paligjshëm sot të kthehet në të ligjshëm? Ne kemi dyshimin tonë të bazuar në fakte që ky ligj s’e nxit këtë gjë. Edhe kur ishte tërësisht e paligjshme nuk i kontrollonte dot shteti. Po tani që do ketë licenca të ligjshme. Hajde gjeje ti në celularin tim se kush është e ligjshmja dhe e paligjshmja. Do vish ti të më kontrollosh celularin tim. Ja ma kontrollove, ligji nuk dënon atë që luan, por atë që organizon, ku do e gjesh se ku është organizimi?! Çfarë do me thënë ortak ndërkombëtar? Përse duhet ortaku ndërkombëtar?! Kjo bëhet për të penguar ata që e njohin këtë biznes, që kanë 20 vjet që e bëjnë këtë biznes. Nëse një kompani ndërkombëtare merr 10 për qind të aksioneve nuk ka mundësi vendimmarrëse. Do jenë të njëjtat kompani. E vështirëson, dhe një kompani që ka 20 vjet në treg, thotë që nuk po hyj fare. Le të themi që kjo është një artific që step kompanitë. Ti ktheje njëherë në të ligjshme, pastaj vështirësoje. Sot ke tufën e lojtarëve... Ata që luajnë në shuma të mëdha nuk luajnë te kompanitë tona”, tha Shyti.
Shyti theksoi se nuk është kundër ligjit, që ka shumë aspekte pozitive, por tha se është vështirësuar rikthimi i lojtarit në ligjshmëri. Ai shtoi se pikat fizike duhen për të kontrolluar lojën.
"Ne po mundohemi t’u themi që s’jemi kundër, ligji ka shumë gjëra pozitive, ka forcim kontrolli të atyre që do marrin licencën. Ka një vlerë që fitimin 15 për qind ia jep sportit. Por nëse ti e bën të komplikuar rikthimin e lojtarit në ligjshmëri, s’ta bën policia këtë, ta bën ligji. Pse unë shkoj në Gjermani, Itali luaj në rrugë, turistët nuk e bëjnë dot këtu. Kjo nuk është lehtësim, që e paligjshmja të bëhet e ligjshme. Ne po i themi që s’mund ta bësh vetëm online. Ti mund të reduktosh pikat, reklamat, por përse duhet pika fizike, sepse në pikën fizike ti e kontrollon. Online një djalë 18 vjeç merr një IP dhe luan", shprehet ai.



