
Qevevria shqiptare mbetet ende shumë larg stadardeve të kërkuara për luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore. Sipas raportit më të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, qeveria nuk e plotëson aspak minimumin e standardeve për eleminimin e trafikimit, por po përpiqet ta bëjë këtë.
Këto përpjekje sipas Departamentit Amerikan të Shtetit përfshijnë rritjen e masës së dënimit për trafikantët, por sin ë vitin 2018 ashtu edhe në vitin 2019, autoritetet përkatëse kanë dënuar vetëm 5 trafikantë, numri më i ulët i dënimeve që prej vitit 2014.
“Qeveria vazhdoi të vonojë fondet për strehimin e viktimave të trafikimit por edhe për rehabilitimin e tyre afatgjatë”, thuhet në raport.
Nisur nga këto mangësi, Departamenti Amerikan i Shtetit i rekomandon Shqipërisë të hetojë me forcë, të ndjekë penalisht dhe të dënojë trafikantët, përfshirë zyrtarët, si bashkëfajtorë.
Autoritete shqiptare, sipas raportit duhet të rrisin përpjekjet për të kontrolluar target grupin vulnerabël si dhe të trajnojë policinë për evidentimin e rasteve të trafikimit.
Gjithashtu, rekomandohet rritja e shërbimeve për riintegrimin e viktimave të trafikimit, duke përfshirë mundësinë e arsimit sa u përket fëmijëve.
Edhe në Kosovë dhe në vendet e tjera të Ballkanit, sipas raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, situata paraqitet e ngjashme.
Korrupsioni qeveritar në këto vende, thuhet në raport, krijon një mjedis që mundëson kryerjen e një sërë krimesh që lidhen me trafikun e qenieve njerëzore.



