Pavarësisht rritjes progresive të numrit të rasteve të reja ditët e fundit, nuk do të ketë rikthim të masave ekstreme kufizuese. Këtë vendim të Komitetit të Ekspertëve e bëri të ditur ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, gjatë ceremonisë së dorëzimit të pajisjeve mjekësore të Bashkimit Europian për përballimin e epidemisë në vend.
“Situata po monitorohet me shumë kujdes. Edhe pse shifrat janë rritur këto ditë, Komiteti i Ekspertëve ka vlerësuar se nuk ka kthim mbrapa, por ka nevojë për një vëmendje të shtuar të të gjithë qytetarëve për të respektuar rregullat, që të kufizojmë përhapjen e COVID19, ndërsa sistemi shëndetësor po përgatitet për forcimin e kapaciteteve”, tha Manastirliu.
Në 24 orët e fundit në vend janë regjistruar 69 raste të reja me koronavirus, shifra më e lartë që nga fillimi i pandemisë. Numri i rasteve të reja ka ardhur duke u rritur ditë pas dite sidomos javën e fundit. Megjithatë, pavarësisht se nuk do të ketë rikthim të karantinës, transporti publik mbetet i mbyllur, ndërsa policia do të monitorojë nga afër zbatimin e masave.



