Një çift bashkëshortësh shqiptarë janë aksidentuar për vdekje, si pasojë e një aksidenti të rëndë të ndodhur mëngjesin e sotëm, rrugës për në Janinë.
Mësohet se makina në të cilën udhëtonte familja shqiptare kishte pësuar defekt, ndërkohë që po ktheheshin pasi kishin kaluar disa ditë pushime në Shqipëri.
Kështu burrë e grua dolën nga mjeti për të parë se çfarë kishte ndodhur, por në ato çaste u përplasën nga një makinë tjetër e cila kaloi me shpejtësi duke i marrë përpara.
Si pasojë e dëmtimeve të marra, burri i moshës 58-vjeçare gjeti vdekjen e menjëhershme, ndërkohë që gruaja e tij e moshës 50-vjeçare, ndërroi jetë në spital pak më vonë.
Ngjarja bëhet edhe më e rëndë pasi aksidenti ndodhi në sy të dy fëmijëve të çiftit, 26 dhe 10 vjeç, të cilët ndodheshin brenda në makinë në momentin që prindërit e tyre u përplasën për vdekje.
Mediat greke raportojnë se nga ngjarja e rëndë mbetën të lënduar edhe dy persona, të cilët ndodheshin në mjetin që shkaktoi aksidentin, i cili u pasua edhe me radhë të gjatë automjetesh në trafik.



