Përgjatë 11 muajve të fundi në vend janë regjistruar 104 vetëvrasje dhe 80 raste të mbetura në tentativë.
Të dhënat nga policia tregojnë se në katër rastet të vetëvrarët janë adoleshente, ndërsa 22 të tjerë kanë tentuar ta kryejnë një akt të tillë.
Altin Nika, psikolog tha përmes një lidhjeje të drejtpërdrejtë me studion e lajmeve të MCN Tv se i gjithë sistemi ku jeton një adoleshent, familja, shkolla dhe shoqëria ka dështuar.
Sipas Nikës nuk ka nevojë të shtohet siguria fizike me kangjella dhe roje me armë, por duhen rritur elementët që i mbrojnë, dëgjojnë dhe i krijojnë mbështetje atyre.
Është dështim total i sistemit ku adoleshenti jeton, i sistemit të familjes, rolit të shkollës dhe i gjithë shoqërisë sonë. Një adoleshent që shkon te ai akt ka dhënë disa mesazhe, po nuk është dëgjuar. Një adoleshent ku shkon tek akti i fundit nuk është dëgjuar dhe nuk është ndihmuar sa duhet. Është kambanë, duhet të punojmë me parandalimin. Veprimet e para nuk duhet të jenë shtimi i sigurisë fizike, duhet të shtohen elementët që i mbrojnë, i dëgjojnë dhe krijojnë mbështetje. Nuk është i rëndësishëm shtimi i rojeve me armë dhe kangjella në shkollë. Adoleshentët nuk kanë ku shprehen, prindërit janë gjithë ditën në punë. Çfarë rëndësie ka ekonomia kur humbin shpirtërisht dhe fizikisht fëmijën e tyre.
Sot familja po vuan një tranzicion të jashtëzakonshëm, që ka mosstabilitet ekonomik. Janë prindër që rropaten gjithë ditën dhe detyrohen të bëjnë dy punë. Shoh për herë të parë një shtim të numrit të subjekteve që ofrojnë shërbime që fëmijët, pasi dalin nga shkollat publike, prindërit i paguajnë mësues të tjerë që të merren me detyrat e fëmijëve.



