Një grup prej 50 parashutistësh nga Italia kanë çelur sezonin turistik për këtë vit në aerodromin e Gjirokastrës, duke realizuar hedhje spektakolare nga avioni, nga lartësia 3 mijë metra.
Aktiviteti u organizua në bashkëpunim mes “Skydive Albania” dhe Federatës Shqiptare të Aeronautikës, duke shënuar edhe eventin e parë në kalendarin e aktiviteteve për këtë vit në aerodromin turistiko-sportiv të Gjirokastrës.
Pjesëmarrësit italianë u shprehën të entuziazmuar për rikthimin e tyre në Shqipëri, duke vlerësuar natyrën dhe potencialin turistik të qytetit.
Synimi i organizimit të eventeve të tilla ajrore është që ato të kthehen në një traditë për Gjirokastrën, duke e promovuar më tej si një destinacion tërheqës turistik dhe sportiv në rajon.



