Humbja e legjendës së futbollit argjentinas, por jo vetëm, ka tronditur botën dhe sidomos adhuruesit e tij.
Nëse do të kthehemi pas në kohë dhe në vite, apo edhe thjesht me një kërkim në Google, do të vëmë re që Maradona ka qenë gjithnjë në fokus të mediave për jetën e shfrenuar dhe luksoze që ka bërë.
Legjenda argjentinase, i rrethuar me famë, para dhe gra, ka rënë shpesh herë pre e tundimit duke u bërë një përdorues i rregullt i lëndëve narkotike.
Kjo ndoshta e imponuar edhe nga frekuentimet e shpeshta me vëllezërit Di Forcella, të cilësuar si kapot e drogës në Napoli.
Në foton më poshtë, Maradona shihet në shoqërinë e tyre në një poltron luksoz të ideuar si një guackë e madhe deti.

Maradona ka qenë gjithashtu në vëmendjen e mediave si babai i shumë fëmijëve nga disa marrëdhënie të tij ndër vite me gra të ndryshme.
Rezultonte gjithashtu debitor në shtet, pasi prej vitesh nuk kishte paguar detyrimet dhe taksat duke e çuar borxhin ndaj autoriteteve në 37 milionë euro, 23 prej të cilave kamatvonesë.
Por pavarësisht bëmave të tij dhe interesit të publikut për jetën personale të Diego Armando Maradonës ai vazhdon të mbahet mend si futbollisti legjendar, idhull i argjentinasve dhe “perëndi” për napoletanët, të cilët e deshën po aq shumë.
Përdorimi i drogës dhe alkoolit, që sipas mjekut të tij i kishte zëvendësuar me ilaçet, shkaktuan edhe atakun kardiak të tij, duke i shkaktuar botës një humbje të madhe, largimin nga jeta të legjendës së futbollit në moshën 60-vjeçare.



