Analisti Frrok Çupi i konsideroi një turp personat që lavdërojnë një vrasje, dhe japin para për autorin, duke iu referuar ekzekutimit të gjyqtarit Astrit Kalaja. Duke folur në Mcn Live ai u shpreh se SPAK-u duhet t’i vendos këta njerëz para përgjegjësisë ligjore.
“Ata që lavdërojnë vrasjen janë jashtëqitja e kombit. SPAK-u duhet të vërë para përgjegjësisë ligjore këta që paguajnë, ose këta që komentojnë në rrjetet sociale. Ky është një turp. Deri më sot janë të vrarë rreth 11 mijë persona, plus 14 mijë që u vranë në luftën civile. Mijëra njerëz kanë ikur për shkak të ligjit të Sali Berishës. Është e tmerrshme të paguash dhe të lavdërosh një vrasje. Pagesa për vrasësin na turpëron ne. Të gjithë ata që japin para duhet të hetohen në mënyrë urgjente nga SPAK-u, stimulojnë vrasjen, tregojnë se janë vet vrasës në shpirt”.
Lidhur me pezullimin e drekretit të Presidentit Begaj nga Gjykata Kushtetuese, Çupi u shpreh:
“E kam lexuar në shumë mënyra këtë që ka ndodhur dje. Nuk ka ndodhur një gjë e jashtëzakonshme. Është një përplasje pushtetesh. Madje jo thjesht pushtetesh, por gjysmë-pushtetesh. Për mua ajo që ndodhi që u pezullua dekreti për Tiranën…Sepse realisht Kushtetuesja ka të drejtën e vet të kërkojë të zhvillojë procesin. Duket sikur Presidenti ka bllokuar kohën e Gjykatës Kushtetuese dhe kaq është. GJK ka vepruar me vonesë dhe për shkak të vonesave është e detyruar të pezullojë dekretin e Presidentit. S’mendoj që ka shkelje të Kushtetutës nga Presidenti, por ka një hapësirë të GJK që është prekur nga dekreti, në 1/6 e saj. Gjykata Kushtetuese ka kryer një akt që dëshmon që kemi demokraci, demokraci në zhvillim. GJK s’ka të drejtë të pezullojë zgjedhjet, është pezullim i përkohshëm”.
I pyetur a sheh fitore të Erion Veliajt në këtë vendim, Çupi tha:
“I vetmi që e pëson këtu është Erion Veliaj, nëse s’ka qetësinë e duhur, stabilitetin e duhur të diturive politike. Erioni do thotë tani fitorja ime, realisht Erioni ka fituar atë që kishte. Veliaj ka një kalvar të gjatë saqë do ishte e paarsyeshme të merrej me gjëra të tjera, përveçse me çështjen. Padyshim që Veliaj ka për të folur sa të duash, por çfarë do thotë? Nëse bie në këto pozita dhe thotë çfarë folëm me Ramën kur pimë një gotë verë, dhe nëse bie në absurd, atëherë çfarë të themi. Por s’e besoj të ndodhë”.



