Partia Demokratike ka paralajmëruar prej më shumë se dy javësh një protestë për ditën e nesërme.
Policia e Tiranës ka lëshuar lejen për zhvillimin e protestës, e cila do të nisë në orën 12:00 për t’u mbyllur në orën 16:00. Protesta kundër qeverisë vjen në momentin ku debati politik maxhorancë-opozitë është acaruar.
Ditën e djeshme, ish-kryeministri Berisha tha në Parlament duhet marrë një vendim për ta larguar kryeministrin nga posti, ndryshe do ta bëjnë qytetarët protestues.
“Ai është pulla e kuqe e këtij Parlamenti. Mos t’ia shohim bojën më këtu. Ai është një burracak. Pulla e kuqe është e lakuriqit. Të marrim një vendim ta nxjerrim përfundimisht nga Parlamenti. Më mirë ta marrim ne se ta marrë nesër sheshi. Do të jetë më e urtë kjo”, tha ai.
Ndërkohë, në emisionet e së enjtes në mbrëmje, kreu i FRD, Këlliçi, paralajmëroi për një vendim të madh që do t’u komunikohet protestuesve vetëm nesër. Ndërsa Kreshnik Spahiu foli për një protestë që mund të zgjasë deri në 30 ditë , kurse Arben Imami, e çoi atë deri në largimin e qeverisë Rama.
Edhe Aldo Bumçi në emisionin Top Story foli për një skenar maqedonas.
Policia ka marrë informacion që mund të ketë skenar për të provokuar policinë. Siç raporton “BW”, burime nga policia janë shprehur se mund të ketë edhe sulme ndaj ndërtesës së Kryeministrisë me gurë ose sende të tjera.
Ndërkohë, dera e Kryeministrisë është mbuluar me një rrjetë të zezë, me shumë gjasa për të shmangur dëmtimet që mund të ndodhin nga protestuesit.
Ndërkohë, në terren pritet të jenë rreth 1000 policë. Ndërtesa e qeverisë, ashtu si në protestat e tjera, do të ruhet nga police femra.
Por ndërkohë, nuk dihet sa do të jetë pjesëmarrja në këtë protestë, kjo edhe për shkak të reshjeve të shiut të parashikuara për ditën e nesërme.



