Studentët e Universitetit të Mjekësisë e kanë nisur me bojkot sezonin, ndërsa kërkojnë që të anulohet Vendimi i Këshillit të Ministrave për punën e detyrueshme, teksa ligjin e cilësojnë si antikushtetues.
Ata shprehen se çështjen do e çojnë në Gjykatën Kushtetuese dhe nëse kjo gjykatë nuk iu jep të drejtë do e adresojnë në gjykatat ndërkombëtare.
Në emisionin “Fol” në MCN TV, një përfaqësi studentësh të Universitetit të Mjekësisë u shprehën se viti i parë hyri në fakultet pa i nënshkruar kontratat, teksa ngrenë si shqetësim se qeveria e miratoi ligjin në mënyrë të përshpejtuar për ta futur në fuqi sa më shpejt.
Do vijojmë bojkotin dhe protestat deri në një reagim institucional dhe pezullim të ligjit. Ligji i miratuar nuk do të zgjidhë asgjë.
Duhet të trajtojë njëherë shkakun se pse largohen mjekët dhe më pas simptomat do të largohen vetë.
Mjekët që largohen janë ata që e nisin punën në vend, fitojnë eksperiencë, i kanë parë kushtet se si punojnë dhe më pas vendosin të largohen.
Nga viti i dytë deri në të gjashtin jemi për bojkot unanim. Kemi bërë një peticioni që në muajin qershor mbi 1800 firma janë të gjithë studentët e Mjekësisë.
Madje nuk jemi vetëm studentët e Mjekësisë, por edhe pedagogët, shumë mjekë të huaj që kanë mbaruar këtu dhe janë me ne dhe shumë fakultete që janë me ne, si Stomatologjia, Farmacia dhe Infermieria.
Një tjetër student shpreh pakënaqësi duke thënë se bojkoti është tregues dhe se janë vetëm studentët e vitit të parë që nuk janë bashkuar, pasi nuk njohin vendin, njeri-tjetrin, kontaktin e parë e kanë me pjesën e administratës, sekretarive dhe se po synojnë që t’i informojnë mbi atë që shkakton ligji.
Kemi një grup që marrim njoftime dhe shpërndahen në përfaqësuesit e çdo grupi dhe çdo mendim që kanë ata i shkojnë për shqyrtim grupit të madh.
Ligji u vendos në periudhë sezoni, shumë studentë nuk ishin këtu, për ta ulur sa më shumë numrin e revoltës. Përfaqësia u zgjodh në bazë të atyre studentëve që kishin mundësi të përfaqësoheshin.
Ne që jemi këtu e duam këtë vend dhe kemi zgjedhur që ta zhvillojmë këtu të ardhmen e vendit tonë. Oferta dhe bursa të huaja i kemi refuzuar.
Gjatë bojkotit kemi parë që studentët janë unanim dhe të vendosur që ta çojnë deri në fund, madje mund të marrin dhe masa të tjera.
Organizimi ynë do jetë definitiv, nuk do e ndjekim vetëm me bojkot por deri në Gjykatën Kushtetuese, jemi në organizimet e fundit për të çuar padi në Gjykatë Kushtetuese.
Një tjetër i ri tha se nuk presin që Kryeministri të kthejë rrugë, por që Gjykata Kushtetuese ta rrëzojë ligjin dhe presin nga qeveria dhe kreu i saj që pas anulimit të ligjit të mbledhë gjithë stafin shëndetësor dhe ti japë një zgjidhje reale situatës, për shkak se janë zona të tëra që nuk kanë mjek.
Mjekët më të mirë në vend janë ata që specializohen jashtë, ka mjekë shumë të aftë që specializohen në Shqipëri, nuk mund të nxijmë çdo gjë, por jashtë ka më avantazh.
Ligji ul cilësinë e studentëve të rinj. Ky është ligj diskriminues për studentët e Mjekësisë, i diferencon nga studentët e tjerë. Vendet e Bashkimit Europian nuk aplikojnë vendime të tilla.
Kundërshtia për ligjin për efektet negative që jep, një efekt negativ sistemi jonë shëndetësor, pjesë e një tregu të lirë që vazhdimisht ka shkëmbim të kapitalit njerëzor.
Sistemin tonë shëndetësor në terma të caktuar kohor e nxjerr nga konkurrenca.
Kushti që vendos ligji është një tarifë shumë e madhe dhe nëse ky ligj zbatohet shumica e studentëve për shkak të kushteve financiare të kufizuara, detyrohen të firmosin kontratën.
Këtë vit raporti kandidat e të fituar ka qenë 2 me 1, në dy kandidat një fitonte, ndërsa para 6 vitesh ka qenë 1 me 7.
Një i ri tjetër tha se qeveria po kryen pengmarrje dhe se ndodhen përballë privatizimit të një institucioni publik shtetëror.
Kostoja e dy universiteteve private është më e ulët se ajo që ka nxjerrë shtetit. Brenda tarifës së studimit te privati është fitimi i pronarit, pagat e pedagogëve, kjo që bën shtetit është vjedhje.
Nëse kostoja reale e studimit është 678 mijë lekë të reja kjo është një vjedhje që po na bëhet.
Ligji ishte prerje në besë dhe ndryshim i rregullave brenda lojës, tha një tjetër e re, duke folur për mohim të së drejtës kushtetuese dhe precedenti të rrezikshëm të qeverisë.
Ndër të tjera studentët folën për zero infrastrukturë në mjekësi, ku në spitale mungojnë pajisjet dhe medikamentet.



