Kamerat e sigurisë kanë filmuar dhunën brutale ndaj 48 vjeçarit, Adriatik Roshi në një berberhane në zonën e ish-Doganës në Tiranë, të dielën e 5 janarit 2025.
Nga pamjet e siguruara gazetari Besmir Pula në një lidhje me MCN Live ka bërë me dije se në to shihen 4 persona, të maskuar dhe pajisur me sëpatë, e leva të cilët hyjnë brenda e godasin në pjesë të ndryshme të trupit Adriatik Roshin, i cili aktualisht ndodhet në spitalin e Traumës në gjendje të rëndë.

Biznesmeni Luçiano Koçeku, i njohur dhe si Tur Koçeku dhe 5 anëtarë nga fisi i tij, akuzohen se janë të përfshirë në organizimin e dhunës barbare ndaj 48-vjeçarit, si hakmarrje për sherrin masiv në gushtin e 2024-ës në club Sin në Palasë gjatë kohës që performonte live këngëtari i njohur grek, Konstandinos Argiros.
Sipas Pulës një ditë më parë Policia njoftoi se të arrestuar për këtë ngjarje janë Gani Koçeku dhe Ledio Tusha, ky i fundit nipi i Luçiano Koçekut, i njohur si Tur Koçeku, po ashtu i shpallur në kërkim me 3 të tjerë, Ronald Koçeku, Dino Koçeku dhe Gëzim Koçeku, të gjithë familjarë me njëri-tjetrin.
Kokat e organizimit të dhunës barbare ndaj Roshit dyshohet të jenë 2 vëllezërit Tur Koçeku dhe Abedin Koçeku, si hakmarrje për rrahjen e tij në një lokal në Palasë në gusht të vitit të kaluar.
Nga hetimet dhe këqyrja e pamjeve të kamerave të sigurisë, agjentët e Komisariatit nr. 3 zbuluan rolet e secilit prej anëtarëve të fisit Koçeku të përfshirë në dhunë. Gani Koçeku dhe Ronald Koçeku janë 2 personat që kanë qenë në makinë duke vëzhguar lëvizjet e Roshit.
Ledio Tusha, 31 vjeç, djali i motrës së Tur Koçekut, në makinën e të cilit u gjetën rroba dhe sende që dyshohet se u përdorën në ngjarje, maskë, kapele dhe xhup të zi. Në shtëpinë e tij u gjet një pistoletë me leje në emër të dajës së tij, Tur Koçeku.
Gëzim Koçeku, ka ndihmuar për hapjen e rrugës për makinën e autorëve për t’u larguar nga vendngjarja. Si rezultat u gjetën dhe sekuestruan 1 pistoletë, 1 armë gjahu, në shtëpinë e Abedin Koçekut, 2 makinë dhe veshje që dyshohet se u përdorën në ngjarje.



