Disa studiues polakë kanë zbuluar eshtrat e një fetusi në një mumie egjiptiane rreth 2000-vjeçare. Ky është rasti i parë në botë i një gruaje shtatzënë të balsamosur, thuhet në artikullin e revistës shkencore “Journal of Archological Science”. Fetusi u zbulua pas ekzaminimit të një mumieje, e cila ishte e ekspozuar në Muzeun Kombëtar të Varshavës që prej vitit 1917.
Ajo dhe bashkëshorti i saj kishin parë me anë të grafive një këmbë të vogël, një pamje kjo e njohur për prindër me tre fëmijë, tregoi të enjten Marzena Ozarek-Szilke, antropologe dhe arkeologe në Universitetin e Varshavës. Pas skanimeve të tjera u zbulua dhe pjesa tjetër e fetusit.
Studiuesit hamendësojnë se gruaja është rreth të njëzetave ose të tridhjetave dhe ka qenë në javën e 26-të deri të 30-të të shtatzënisë. Ne nuk e dimë, pse fetusi nuk është nxjerrë nga barku i së ndjerës gjatë procesit të mumifikimit, tha Wojciech Ejsmond, një tjetër person i përfshirë në projekt nga Akademia Polake e Shkencave.
Sipas Ozarek-Szilke, balsamuesit mund të jenë përpjekur të fshehin shatzëninë. Është gjithashtu e mundshme që të ketë lidhje me besimin e rilindjes në botën e përtejme.
Sipas shkencëtarëve, deri më tani nuk ka patur asnjë rast tjetër të një kufome shtatzënë të balsamosur. Kjo gjetje do të hapte një mundësi të re për kërkime në lidhje me shatzaninë në lashtësi dhe për praktikat në lidhje me mëmësinë, shkruan studiuesit në artikullin shkencor. Mumia egjiptiane ka ardhur në Poloni që në shekullin e XIX. / AFP / Përktheu: Ina Merlika /



