Dikur, ky fshat kishte 1100 banorë. Sot, aty jetojnë vetëm 15 familje, kryesisht të moshuar. Largimi i tyre ka ndodhur si pasojë e kushteve të vështira ekonomike dhe mungesës së theksuar të infrastrukturës.
Problem për banorët është edhe mungesa e një qendre shëndetësore. Lufti Tusha është infermier që ofron shërbimet mjekësore për banorët e këtij fshati, ndërsa tregon se shpeshherë detyrohet që injeksionet t’i bëjë në rrugë.
Edhe pse me probleme të shumta, ky fshat mbart edhe histori të shumta. Aty ndodhet një xhami rreth 500-vjeçare, ndërsa në majë të një kodre ndodhen disa varre të vjetra që dyshohet se i përkasin hebrenjve.
Në Lukaxhi thuajse shumica e banesave janë të kyçura. Banorët që vijojnë të qëndrojnë aty thonë se sfida është për të mbijetuar.



