Në studion e MCN Informacion, analisti Klementin Mile dhe avokatja Alesia Balliu komentuan garën me një kandidat për kreun e Partisë Demokratike, duke ngritur shqetësime për mungesën e besimit dhe standardeve demokratike brenda partisë.
Analisti Klementin Mile theksoi se Partia Demokratike ndodhet në një cikël të gjatë humbjesh dhe se argumentet e përsëritura për manipulim zgjedhor nuk po bindin më mbështetësit.
PD duhet të reflektojë mbi një seri të gjatë humbjesh elektorale. Argumentet se zgjedhjet janë vjedhur nuk bindin më demokratët, pasi janë të përsëritura. Partia nuk po inspiron besim se mund të bëhet fituese dhe strategjitë aktuale nuk janë triumfuese. Mungon vizioni dhe kjo e bën PD jo konkurruese as në zgjedhjet lokale, as në ato të përgjithshme.
Ai shtoi se brenda partisë ekziston një mungesë sinqeriteti.
Ka një qasje hipokrite, ku në biseda private shumë nuk besojnë te kjo rrugë, por publikisht heshtin për të ruajtur pozitat. Kjo sjell një tjetër mandat, por edhe një tjetër humbje për demokratët.
Ndërsa avokatja Alesia Balliu u shpreh kritike ndaj procesit të garës, duke akuzuar për mungesë transparence dhe frikë nga konkurrenca.
Nuk kisha pritshmëri që Berisha do të dëgjonte zëra ndryshe, por problemi i tij real është se nuk mund të fitonte me një mbështetje të plotë. Ai kishte frikë nga gara, sepse një platformë alternative do të ekspozonte premtimet e pambajtura.
Ajo theksoi se kërkesa e tyre ka qenë për një proces të hapur dhe meritokratik.
Kërkuam garë dhe meritokraci, jo favore. Por kushdo që artikulon një mendim ndryshe sulmohet. Sot, Berisha nuk ka asnjë shans ta bëjë PD fituese dhe po e mban partinë peng të interesave të tij personale.



