Deputeti i Partisë Socialiste Agron Çela ka qenë sot i pranishëm në SPAK për afro 60 minuta.
Ish-deputeti i LSI Çela ka pasur një kompani që ka pasur marrëdhënie kontraktuale e Kastriot Ismailajn, ish-administratorin e DIA-s dhe mësohet se dha shpjegime për transaksionet ekonomike të kryera.
Në një prononcim të shkurtër për mediat pasi doli nga SPAK, deputeti tha: “Isha për punët e mia. Kastriot Ismailajn s’e njoh kush është ky. S’di gjë për CEZ-DIA. Me Ilir Metën gjithmonë kam marrëdhënie shumë të mira”.
Hetimet për CEZ-DIA udhëhiqen nga kreu i SPAK, Altin Dumani, dhe bëhet fjalë për një çështje drejt përfundime të afateve hetimore.
Më herët sot, një raportim për MCN Live gazetari Arsen Rusta bëri me dije:
Agron Çela ka një fletë-thirrje nga SPAK. Në 8:45 z.Çela është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme pa praninë e një avokati. Sipas informacioneve të siguruara nga MCN Live ai po pyetet për aferën CEZ-DIA, pasi rezulton që ka qenë bashkëpunues dhe ka patur një kontratë bashkëpunimi me ish-administratorin e DIA-s, e cila mblidhte borxhet e shqiptarëve ndaj kompanisë çeke, CEZ, Kastriot Ismailajn, tashmë të dënuar. Po përse është z.Çela në Prokurorinë e Posaçme? Ai vjen fill pas deklarimeve të Presidentit Meta, gazetarit Ilir Kulla dhe biznesmenit Dorian Duçka. Meta e ka përmendur emrin e z. Çela si person që ka dijeni për rrethanat e hetimit dhe ai sot do duhet t’i përgjigjet oficerëve të BKH se çfarë lidhje ka pasur me Ismailjn, Metën, lëvizjet e tyre jashtë vendit dhe transaksionet bankare. Ai do japë deklarime në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e hetimit. Kjo aferë është drejt fundit të hetimit. Është një hetim i nisur në vitin 2019, të cilin Meta e cilëson si politik, ndërsa SPAK thotë që ka elemente te veprës penale, dhe do t’i drejtohet gjykatës shumë shpejt.



