Ashtu si Tom Hanks në filmin “Terminal”, një burrë nga Kalifornia është gjetur i fshehur në aeroportin e Çikagos ku kishte qëndruar për tre muaj me radhë nga frika e Covid-19.
Aditya Singh, 36 vjeç kishte përdorur gjatë kohës një distinktiv të njërit prej punonjësve të aeroportit i cili e kishte deklaruar këtë mjet identifikimi si të humbur.
Singh kishte zbritur në aeroportin e Çikagos në 19 tetor nga Los Anxhelos, dhe që atëherë kishte qëndruar në një zonë të kufizuar të aeroportit duke përdorur distinktivin e humbur të punonjësit.
Në aeroport nuk është e vështirë të gjesh ushqim, dhe kjo ia kishte bërë më të lehtë qëndrimin në atë ambient 36-vjeçarit.
Të shtunën e kaluar, dy punonjës të United Airlined i kishin kërkuar Singh te konfirmonte identitetin e tij duke dhënë të dhëna shtesë, por 36-vjeçari nuk arriti të konfirmonte asnjë të dhënë.
Në këtë mënyrë u kuptua se distinktivi që ai mbante nuk ishte i tij, duke bërë arrestim të menjëhershëm.



