Gazetari i ekonomisë, Klodian Tomorri, e cilësoi okulte mënyrën se si është bërë përzgjedhja e projektit të rrugës Milot-Fier. Në studion e TvT, Tomorri tha se për këtë projekt nuk ka pasur transparencë.
“Janë investime të rëndësishme me implikime të mëdha edhe në buxhetet familjare, prandaj duhet të jenë transparente. E dëgjova ministrin që iu përgjigj pyetjes kush e mori vendimin. Kush mund ta marrë tjetër veç qeverisë? Ka proceduar dhe ligje që parashikojnë marrjen e këtyre vendimeve. Ka një projekt të përzgjedhjes së projekteve koncesionare. Kush ishte komiteti që mori vendimin për rrugën Milot Fier? Pak javë më parë ka pasur projektin Thumanë-Rrogozhinë. Si mund të ndryshojë kjo? Kemi të bëjmë me një projekt okult që është përzgjedhur në mënyrë okulte”, tha ai.
Tomorri i cilësoi të ligjshme akuzat që opozita ka ngritur në lidhje me projektin në fjalë. Ai shtoi se nuk mund të flitet për garë, pasi marrëveshja që i jep koncesionin firmës greke është bërë që më parë.
“Jemi më shumë sesa në kuadrin e dyshimeve. Ne e dimë së është kompania greke Terna, e cila ka punuar mëse një vit duke bërë llogaritë e saj. Është në të drejtën e çdo biznesi të shohë interesin e vet. Mendoj që akuzat e opozitës janë të ligjshme. Kur ke më shumë se dyshime që pas projektit qëndron një kompani e caktuar, është e kotë të flitet për garë. Kemi të bëjmë me një marrëveshje që është bërë më parë”, tha ai.
Tomorri theksoi se është e domosdoshme që projekte të përmasave të tilla të implementohen me kujdes, kjo edhe për shkak të përvojës së mëparshme me koncesionet.
“Nga njëra anë është ministria, nga ana tjetër kompania që fiton projektin. A është skemë e ngjashme me DH Albania, ne nuk kemi ende fakte. Nuk i kemi ende ato informacione për projektin në fjalë. Vlen të theksohet se jemi përballë një investimi që në 30 vjet do të gjenerojë 4 miliardë euro. Do të jetë një investim 1.2 miliardë euro që do të kthejë 4 miliardë euro të ardhura. Është një projekt i madh që shkon sa 10% e GDP. Një projekt i tillë duhet lançuar dhe implementuar me kujdes. Ky vend ka përvoja të këqija me projekte të kësaj natyre. E kemi parë se çfarë ndodh me koncesione të tilla që po i paguajmë. Ministrat që qajnë para kamerave, por ndërkohë janë të njëjtët që në tavolina nënshkruajnë marrëveshje okulte, koston e të cilave e paguan populli. Nuk na duhen zyrtarë të tillë, na duhet zbatimi i ligjit”, tha ai.
Tomorri shtoi se asgjë nuk e justifikon ngarkesën e një kostoje të padrejtë mbi qytetarët, as mbështetja për hapjen e negociatave.



