“Border” u kodua një operacion i policisë së Vlorës, për goditjen e veprimtarisë kriminale të transportimit të emigrantëve, kundrejt fitimit, për të kaluar ilegalisht në vendet e BE-së, ku u zbuluan 29 persona që po transportoheshin me furgon.
Gjatë operacionit u vunë në pranga 4 persona nga Shkodra, ku 3 prej të cilëve lëviznin me një automjet tjetër privat për të monitoruar rrugën, për prezencë të shërbimeve të policisë.
Shërbimet e Policisë Kufitare të DVKM Vlorë, në bashkëpunim me Repartin Special “Delta” dhe strukturat e DVP Vlorë, në vijim të operacionit policor të koduar “Border”, me fokus parandalimin, evidentimin dhe goditjen e dhënies ndihmë emigrantëve nga vendet e treta, kundrejt pagesave, për të kaluar ilegalisht kufirin drejt vendeve të BE-së, me mbështetjen e inteligjencës informative, kanë evidentuar dhe goditur një tjetër rast të kësaj veprimtarie të kundërligjshme.
Si rezultat i këtij operacioni, u arrestuan shtetasit F. H., 48 vjeç, M. F., 32 vjeç, B. F., 18 vjeç dhe K. Q., 36 vjeç, të katërt banues në Shkodër.
Të katër këta shtetas bashkëpunonin me njëri-tjetrin, për të kryer transportimin kundrejt pagesave, të 29 emigrantëve, me qëllim kalimin e kufirit në mënyrë të kundërligjshme. Shtetasi B. F., drejtonte furgonin me të cilin transportoheshin emigrantët, ndërsa 3 shtetasit e tjerë të arrestuar, lëviznin me një automjet tjetër, me qëllim monitorimin e rrugës së kalimit nga Saranda drejt Shkodrës, për të shmangur shërbimet e Policisë.
Dy automjetet e përdorura nga këta shtetas për këtë veprimtari kriminale, si dhe celularët e tyre, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.



