Tre zyrtarët më të lartë të vendit: kreu i shtetit, kryeministri, si dhe kreu i Kuvendit kanë shkelur protokollin zyrtar. Ata ndodhen që të tre jashtë vendit në kuadër të vizitave zyrtare dhe aktiviteteve të tyre politike.
Nishani, Rama dhe Meta nuk kanë rakorduar vizitat e tyre jashtë vendit, duke e lënë vendin pa asnjë zyrtar të lartë në krye të detyrës. Presidenti Nishani ndodhet në Baku, Azerbajxhan, ku po mbahet Forumi Global. Kreu i qeverisë, Rama, ndodhet në samitin e kryeministrave në Trieste, ndërsa kryetari i Parlamentit, Meta, ndodhet për një vizitë zyrtare në Finlandë.
Në ceremonialin zyrtar të Republikës së Shqipërisë thuhet se protokolli i shtetit duhet të vihet në dijeni paraprakisht për çdo lëvizje të tre personaliteteve kryesore të shtetit, përkatësisht Presidentit, Kryeministrit dhe Kryetarit të Parlamentit, pasi vizitat duhet të koordinohen që të mos jenë të tre jashtë vendit në të njëjtën kohë. “Protokolli i shtetit vihet në dijeni paraprakisht për çdo lëvizje të tre personaliteteve kryesore jashtë shtetit. Vizitat koordinohen në mënyrë që të mos jenë të tre njëkohësisht jashtë vendit në të njëjtën kohë”, thuhet në ceremonialin zyrtar. Ky nuk është rasti i pare që shkelet protokolli i shtetit.



