
Koreja e Veriut akuzoi ushtrinë e Koresë së Jugut për gjuajtje me predha artilerie në “zonën tampon” mes dy vendeve dhe bëri thirrje për ndalimin e atyre që i quajti “veprime provokuese ushtarake” në zonën e vijës së demarkacionit ushtarak.
“Armiku”, tha ushtria e Phenianit, qëlloi më shumë se 30 predha artilerie në poligonin e qitjes Cho-ri në Jindong-myon, qyteti Phaju në provincën Kyonggi, i vendosur në zonën e Frontit Perëndimor.
Ky është një provokim shumë serioz ushtarak që e përkeqëson më tej situatën.
Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Popullore Koreane ka urdhëruar njësitë e artilerisë së Korpusit të Dytë të Ushtrisë që të vihen në gatishmëri me fuqi zjarri për sulmin dhe të marrin masa për të forcuar rojet dhe detyrën luftarake kundërajrore.



