Lulzim Basha po zhvillon një takim informal me kryetarët e degëve të PD në gjithë vendin, teksa prej javës së shkuar ka kërkuar nga strukturat të zbresin në terren.
Gazmend Koduzi, anëtar kryesie i PD në një intervistë për edicionin e lajmeve të MCN TV tha se plani është aprovuar, ndërkohë që shtoi se edhe takimet e Berishës që janë bërë me strukturat e PD kanë shërbyer pasi ata që janë mbledhur të gjithë janë demokratë.
Lidhur me afatin 5 janar që Berisha i ka vënë Bashës për të dalë nga selia e PD, Koduzi PD është një parti e spektrit të djathtë dhe dhënia e ultimatumeve nuk është tipar i partive të djathta.
Intervista:
Z. Koduzi, ju vetë keni nisur takime, cilat janë porositë që u ka lënë kryetari dhe çfarë pret PD nga ky proces?
Koduzi: U aprovua një plan aktivitetesh që do të nisnin në terren me kryetarët e PD. Ideja ishte të dëgjojmë anëtarësinë për problemet që kanë. Mendohet që i gjithë ky proces pas kuvendit të 18 dhjetorit është i mbyllur nga ana institucionale.
Z. Koduzi, zbritja në terren tingëllon pak e vonuar? Teksa Sali Berisha po zhvillon foltoret e tij, ndërsa përballë edhe qeveria ka nisur Konsultimin Kombëtar?
Koduzi: Edhe takimet e Berishës janë bërë me strukturat dhe në vetvete edhe këto takime kanë qenë një lloj takimi, ata janë të gjithë demokratë.
Z. Koduzi, si do të vijojë aksionin e saj opozitar PD?
Koduzi: Akoma nuk është folur në terma konkretë. Fillimisht do të flitet për problematikat dhe pavarësisht qëllimeve që kanë të gjithë jemi sëbashku për të kurorëzuar me sukses zgjedhjet lokale dhe sa më shpejt për zgjedhjet e përgjithshme.
Z. KoduzI, Lulzim Bashës i është lënë afat deri në 5 janar të lirojë zyrën. Çfarë mendoni se do të ndodhë pas kësaj date?
Koduzi: PD është një parti e spektrit të djathtë dhe kjo do të thotë të respektosh institucionet. Nisur nga kjo dhënia e ultimatumeve nuk është tipar i partive të djathta. Nuk shkojnë ultimatumet me PD. PD është institucion. Komisioni për rithemelim ka çuar në gjykatë disa dokumente dhe pritet të shprehet gjykata. Pa ardhur një vendim gjykate këto ultimatume nuk shkojnë. Të jesh i djathtë nuk do të thotë të japësh ultimatume dhe të bësh revolucion, këto janë tipare të majta.
Z. Koduzi edhe një pyetje referuar deklaratave të z. Taulant Balla sot. Ai tha se Berisha duhet të ndjekë shembullin e Tom Doshit dhe të largohet përjetësisht nga Parlamenti.
Koduzi: Nuk mendoj se Balla është personi i duhur për ti dhënë këshilla Berishës, sepse ai i ka dhënë shumë Shqipërisë. Besoj që doktori ka thënë që do përgjigjet. Ajo që nuk bëri mirë është përfshirja e PD në këtë problematikë dhe futja në përplasje e demokratëve në bazë. Duhet ta kishte ndjekur personalisht dhe të mos e kishte përfshirë PD në këtë debat.



