Stomatologia Aurora Celami, e ftuar në programin e mëngjesit “Zgjohu me MCN”, foli për pasionin e saj për stomatologjinë dhe mënyrën se si ky pasion u trashëgua nga babai i saj, i cili gjithashtu është dentist.
Ajo rrëfen se dëshira për këtë profesion nuk lindi vetëm si një ide biznesi familjar, por si një ndjenjë e thellë dashurie për t’u kujdesur për njerëzit.
Kënaqësia më e madhe është kur pacienti del i qeshur dhe i lumtur nga klinika. Aty kuptoj që kam fituar besimin e tij.
Pwr mua stomatologjia ishte një zgjedhje e natyrshme.
E kam të trashëguar nga babai. Si fëmija i parë në familje, isha ‘projektuar’ që të bëhesha dentiste.
Sot mund të them me bindje se ka qenë zgjedhja më e mirë që kam bërë.
Babi më thoshte gjatë viteve të universitetit: ‘Mbaroje shkollën dhe fillo punën.’ Dhe ashtu bëra.
Ditën e parë të punës e kujtoj si ditën kur e kuptova se isha në vendin e duhur. Pacienti i parë më dha besimin që kisha nevojë dhe që nga ajo ditë, çdo sfidë më është dukur më e lehtë.
Suksesi nuk matet vetëm me arritje profesionale, por me emocionet që ndien kur sheh në sytë e pacientit mirënjohjen dhe lehtësimin nga frika dhe stresi.
Ideja që një pacient, i cili vjen me frikë të madhe, largohet i qetë dhe i lumtur, është shpërblimi më i bukur që mund të kem.
Përveç profesionit, ajo ka zhvilluar edhe pasione të tjera si pasqyrimi i përmbajtjeve pozitive në rrjete sociale.
Në TikTok ndaj pjesë nga përditshmëria ime.
Synimi im është të motivoj, të jap energji pozitive dhe të tregoj se puna me dashuri sjell gjithmonë rezultate të mira.



