
Reklama e një bluze të gjigandit të veshjeve H&M ka shkaktuar një furtunë reagimesh ditët e fundit. Reklama e një bluze me kapuç me mbishkrimin “Majmuni më i lezetshëm i xhunglës”, e cila mbahej veshur nga një vogëlush me ngjyrë, u cilësua si raciste dhe marka u bojkotua nga emra të njohur të artit dhe muzikës.
Terry Mango, mamaja e Liamit, djalit model, kishte bërë thirrje që të mos i jepej kaq rëndësi kësaj çështjeje, duke e cilësuar të pavlerë, duke qenë se bluza në fjalë ishte vetëm një prej shumë të tillave me të cilat ishte fotografuar i biri.
Tashmë, ajo ka thyer heshtjen dhe përmes faqes “Gulf News” ka treguar për reagimet që ka pasur. Ajo thotë se shumë njerëz i kanë shprehur asaj dyshime në lidhje me arsyet pse ishte distancuar nga kjo çështje, madje edhe e kanë fyer me termin “majmun” nga të njëjtët njerëz që ishin ngritur kundër reklamës.
“A mund të luftosh racizmin nëse bën edhe vetë konstatime raciste? Nuk mund të mbrosh tim bir nëse përdor të njëjtat fjalë për të më përshkruar mua”, është shprehur ajo.
Vogëlushi me ngjyrë në reklamën e H&M është vetëm pesë vjeç. Ai ndoshta nuk e kupton mirë pse fotoja e tij po bën xhiron e botës duke ilustruar akuzat për racizëm, të nxitura edhe nga një tjetër reklamë e të njëjtës markë, në të cilën një vogëlush i bardhë mban veshur një bluzë, ku shkruhet “ekspert në mbijetesën e specieve”.
E gjetur në vorbullën e një indinjate masive, kompania suedeze e veshjeve e hoqi bluzën nga tregu. “Jemi sinqerisht të keqardhur, nuk ishte aspak qëllimi ynë të ofendonim askënd me sloganin e bluzës. Besojmë fort në diversitet dhe gjithëpërfshirje”, thuhet në reagimin zyrtar të H&M.
Akuzat për racizëm nuk janë të reja për kompanitë e mëdha. Kohët e fundit, edhe Nivea e gjeti veten nën stuhinë e kritikave për reklamën e një kremi që zbardh lëkurën, por edhe Dove për reklamën e një shampoje trupi që e transformon lëkurën e një vajze me ngjyrë në të bardhë.



