Një 45-vjeçar është ekstraduar nga Italia pasi rezulton i dënuar me 22 vjet burg për një vrasje.
Arben Dodaj, nga Mirdita, është dënuar nga gjykata e këtij rrethi për vrasjen e shtetasit P.D., në fshatin Shtrezë, ngjarje e ndodhur ën vitin 1997.
Njoftimi i policisë
Nga Specialistët e Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Milano drejt vendit tonë, i shtetasit Arben Dodaj (Doda).
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mirditë, me vendimin nr.53, datë 23.10.2000, e ka dënuar me 22 vjet burgim, për kryerjen e veprës penale të “Vrasje me paramendim , të kryer në bashkëpunim“ dhe “Armëmbajtje pa leje“.
Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur:
Në datën 17.08.1997 rreth orës 16.00 në fshatin Shtrezë të rrethit Mirditë, shtetasi Arben Doda në bashkëpunim me një shtetas tjetër, kanë vrarë me armë zjarri shtetasin P.D.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën, u bë i mundur arrestimi i tij në Itali, (me pasaportë të falsifikuar) duke u finalizuar me ekstradimin e tij drejt vendit tonë.



